Mandati i Kokëdhimës, Ristani: Mazhoranca do t’ia fshehë çështjen Gjykatës Kushtetuese
Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha për mediat se mazhoranca po kërkon t’ia fshehë Gjykatës Kushtetuese kërkesën. “Këshilli mori në shqyrtim kërkesën e PDsë për pavlefshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima për shkelje të kushtetutës. Çështja u shqyrtua ka të bëjë me faktin që kërkesa duhet dërguar në Gjykatë Kushtetuese apo jo. Është shqyrtuar nga ana e procedurës kërkesa, nuk është gjykimi në themel që bëhet nga Gjykata Kushtetuese. Maxhoranca është e mendimit që duhet t’ia fshehë Gjykatës Kushtetuese këtë çështje”, tha Ristani. Sekretari i Përgjithshëm i PDsë, tha se ky vendim i maxhorancës është në vijim të bashkëpunimit të saj me krimin. “Qëndrimi i maxhorancës ishte që çështja të mos i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca do i dërgojë kërkesë parlamentit që të mos i shkojë çështja Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca gdhihet me krimin, si krimi kërkon të fshihet dhe veprojë në errësirë. PD ka rrugët e saj ligjore për të ndjekur. E moralshme është që të mos kemi një ngjarje që s’ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit”, tha Ristani. Më 6 prill, Këshilli vendosi shtyrjen e mbledhjes për t’u dhënë kohë anëtarëve të tij që të njihen me parashtrimet e bëra nga avokati i deputetit, Kokëdhima, si dhe me dokumentet e depozituara nga opozita në Kuvend. Në kërkesën e deputetëve të djathtë argumentohet se, në shkelje të Kushtetutës, deputeti socialist ka përfituar fonde publike, nëpërmjet kompanisë Abissnet, edhe pasi është bërë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kjo, thotë opozita, është në papajtueshmëri me nenet e Kushtetutës dhe ligjin ‘për konfliktin e interesave’.