Mandati i Xhaçkës, kryeparlamentarja Spiropali i përgjigjet PD: Më 27 gusht mblidhet Këshilli për Legjislacionin
Me urdhër të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali më 27 gusht do të zhvillohet jashtë sesionit parlamentar mbledhja e Këshillit për Legjislacionin, ku do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes së PS-së, Olta Xhaçka.
Vendimi vjen si kërkesa nga grupi i PD-së, pasi një ditë më parë ata kërkuan që Kuvendi të zbatojë vendimin e Kushtetueses, e cila në vendimin e saj shprehet se shqyrtimi i çështjes nga Kuvendi duhet të bëhet me përparësi, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj.
Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit ku do të shqyrtohet kërkesa e grupit parlamentar demokrat që është firmosur nga 29 deputetë, do të zhvillohet në orën 11:00. Deputetët e PD-së në kërkesën e tyre shpreheshin se Kuvendi ka krijuar terrenin për krizë kushtetuese duke mos i hequr mandatin ish-ministres së Jashtme.
”Ju njoftojmë se në datën 27 Gusht, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit, do të zhvillohet jashtë sesionit parlamentar, mbledhja e Këshillit për Legjislacionin. (Urdhër Nr. 54, datë 08.08.2024, i Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali.) Këshilli për Legjislacionin do të mblidhet për të shqyrtuar vendimin nr. 55, datë 10.07.2024, të Gjykatës Kushtetuese. ju njoftojmë se në datën 27 Gusht, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit, do të zhvillohet jashtë sesionit parlamentar, mbledhja e Këshillit për Legjislacionin. (Urdhër Nr. 54, datë 08.08.2024, i Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali.) Këshilli për Legjislacionin do të mblidhet për të shqyrtuar vendimin nr. 55, datë 10.07.2024, të Gjykatës Kushtetuese”,-njofton Kuvendi.
Pjesë nga qëndrimi i grupit të PD-së
Është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Për shkak të krizës kushtetuese të krijuar nga ana e Kuvendit, cenimit të themeleve të shtetit demokratik që ka vënë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zvarritjes së tejzgjatur prej më shumë se 2 viteve të kësaj çështjeje, që ka shkaktuar vonesa që e çojnë shqyrtimin në limitet kohore të mundësisë për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, në deklaratën publike të datës 10 Korrik 2024 të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, por edhe në paragrafin 65 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm dhe me përparësi i kësaj çështje nga Kuvendi.