”Manifestim i qartë i dhunës”, Peleshi: Deputetët tanë nuk janë aty për t’u përleshur me këmbë karrigesh
Kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi shprehet se deputetët socialistë nuk janë aty (Kuvend) për t’u përleshur me këmbë karrigesh. Reagimi vjen pas kaosit të shkaktuar nga opozita në seancën plenare. ku nuk munguan hedhja e sendeve dhe përplasja gati fizike. Në një postim në Facebook, Peleshi shkruan se sjellja e PD-së është një manifestim i qartë i dhunës së papranueshme. ”Sot nga ne pritet përgjegjshmëri, maturi politike dhe përkushtim ndaj reformave që përqafojnë vlerat europiane. Seanca parlamentare duhet të jetë tempull i etikës dhe respektimit të ligjit, dhe jo një skenë ku ligji shkelet dhunshëm”,-shkruan Peleshi në Facebook.
Postimi i plotë
Aktet e sotme të dhunës në Parlamentin e Shqipërisë nuk përfaqësojnë thjesht një aksion politik nga opozita, por janë një manifestim i qartë i dhunës së papranueshme, që tejkalon çdo veprim radikal të mëparshëm.
Djegia e karrigeve është simbol i djegies së besimit të qytetarëve, pikërisht në ditët kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për bashkimin e forcave në rrugën e hapur drejt Bashkimit Europian.
Sot nga ne pritet përgjegjshmëri, maturi politike dhe përkushtim ndaj reformave që përqafojnë vlerat europiane. Seanca parlamentare duhet të jetë tempull i etikës dhe respektimit të ligjit, dhe jo një skenë ku ligji shkelet dhunshëm. Deputetët tanë nuk janë aty për t’u përleshur me këmbë karrigesh, por për të debatuar me fjalë. Deputetit nuk mund t’i tolerohet asgjë që i ndalohet qytetarit të zakonshëm. Aq më tepër dhuna.