Manja: Dy lajme të mira për ish-pronarët, 15,9 miliardë lekë deri në vitin 2028

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja informoi se janë miratuar dy vendime të rëndësishme që prekin ish-pronarët. Ai tha se është marrë vendimi për shtyrjen deri në vitin 2028 për kompensimin e ish-pronarëve dhe deri në këtë periudhë janë parashikuar 15,9 miliardë lekë të ndara në 3 vite.

”Sot kemi dy lajme të mira për ish-pronarët. Sapo kaluam një ndryshim në ligjin 133 të vitit 2015 për përfundimin e proceseve të pronës dhe kompensimin e ish-pronarëve. Këto janë dy ndryshime që kanë të bëjnë me shtyrjen e afatit që kanë të bëjnë me shqyrtimin, vlerësimin dhe kompensimin e pronave.

Afati mbaronte në dhjetor të vitit 2024, por ne e kemi çuar afatin për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të patrajtuara të ish-pronarëve deri në dhjetor 2027. Ndërsa afati i kompensimit të ish-pronarëve do të shtyhet deri në dhjetor 2028. Janë dy ndryshime shumë të rëndësishme sepse i jep mundësinë agjencisë të shprehet për më shumë se 7 mijë dosje.

Në afat të mesëm për vitin 2025 ne kemi parashikuar rreth 3 miliardë lekë për kompensimin e ish-pronarëve, 2026-2026 5,3 miliardë lekë dhe për vitin 2028 që është vitit i fundit i kompensimit masa e kompensimit është 7,6 miliardë lekë. Sot kemi kaluar edhe një vendim që ka të bëjë me kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e palegalizuara”, tha Manja.

SHKARKO APP