Manjani në kongresin e SYRIZA: E majta e Cipras duhet marrë shembull
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në cilësinë e përfaqësuesit të LSI-së ka marrë pjesë këto ditë në kongresin e SYRIZA, partisë që drejton koalicionin qeverisës në Athinë. Në një status në Facebook, Manjani shprehet se alternativa e majtë e kryeministrit grek, Cipras po funksionon.
Ndërsa shton se modeli i kësaj force politike duhet të ndiqet edhe nga partitë e tjera të majta. “SYRIZA një parti e re për tu marrë shembull! Alternativë reale e të majtës moderne. Suksese punimeve të kongresit te dytë të saj!”,- shkruan në Facebook Nënkryetari i LSI-së.
Postimi i plotë në Facebook, i Ylli Manjani:
Jetojmë në një kohë kur elitat politike në shoqërinë globale janë shkëputur ndjeshëm nga realiteti njerëzor.
Shoqëria po polarizohet gjithnjë e më shumë, pavarësisht rënies së barrierave tradicionale!
Mënyra më e “sukseshme” e të bërit politikë është Populizmi! Në këto kushte reforma numër 1 duhet të jetë reforma politike. Na duhet një politikë përfaqsuese dhe jo polarizuese! Një politikë e thjeshtë dhe jo që komunikon “thjeshtë”! Një politikë që ngushton dallimet duke garantuar dinjitetin njerëzor!
Bashkëpunimi dhe dialogu i përhershëm janë mjetet më të sukseshme të të bërit politikë. Vendimet konsensuale janë domosdoshmëri për rritjen e besimit tek politika. Edhe kur nuk jemi dakort, respekti për kundërshtarin është detyrë.
Qëllimi është udhëheqja e shoqërisë drejt mirëqenies. Miëqënia kërkon punë. Puna bën ekonominë. Detyra e politikës është të krijojë klimën më të mirë të mundshme për të bërë ekonomi. Në vecanti e majta Europiane është e çoroditur dhe pa shumë alternativa. E fundit alternativë e sukseshme ishte ajo e Blair.
Aktualisht funksionon Alternativa Cipras. E majta moderne e shekullit te ri që nuk resht së mbrojturi njerëzit në nevojë dhe nuk pranon asnjë pazar me dinjitetin e njeriut! Integrimi i shtresave apo grupimeve sociale pa dallim në shoqërinë greke është filozofia politike e drejtimit aktual.
Me këto parime e me këtë filozofi Greqia nën drejtimin e Kryeministrit Cipras kaloi dallgën financiare më të madhe të kohës moderne! Nuk ka përfunduar ende, por Greqia duket në rrugë të mbarë. Reforma të thella, por me dinjitet! Nxitje e bisnesit në shërbim të ekonomisë kombëtare, por trajtim dinjitoz për të varfrit dhe të pamundurit! Arsim të brezit të ri nëpërmjet një politike arsimore pa diskriminim!
SYRIZA një parti e re për tu marrë shembull! Alternativë reale e të majtës moderne. Suksese punimeve të kongresit te dytë të saj!
KOHA JONË SONDAZH

