Manjani-Ramës: JO për negociatat, nga dështimi për të bërë shtet
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një postimi në facebook, shkruan për negociatat e anëtarësimit me BE, ku thekson se qëndrimi negativ nuk erdhi nga ”çështjet e brendshme të BE”. Teksa ka renditur një sërë arsyesh, Manjani thotë se qeveria ”Rama 2”, ka dështuar në punën për të bërë shtet. ”Edi Rama është përgjegjës për arsyet që e bënë BE të mos e thotë atë PO. Konkretisht, dështimi për të bërë shtet (sipas reformës në drejtësi të miratuar); dështimi për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme; tejmbushja e europës me drogë dhe azilantë janë përgjegjësi direkte e qeverisë së Edi Ramës”,-shkruan Manjani.
Postimi i plotë
“Po-ja e BE varet nga çfarë duan apo s’duan ata, jo nga ne”,-vijon të thotë Edi Rama. Po ashtu është! Atë PO ata e vendosin, por për momentin Edi Rama është përgjegjës për arsyet që e bënë BE të mos e thotë atë PO. Konkretisht, dështimi për të bërë shtet (sipas reformës në drejtësi të miratuar); dështimi për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme; tejmbushja e europës me drogë dhe azilantë janë përgjegjësi direkte e qeverisë së Edi Ramës.
Këto janë artikuluar qartë nga Gjermania, Franca dhe Hollanda. Sigurisht që këto janë qëndrimet e tyre para votuesve të tyre, sepse janë politikanë që japin llogari në vendet e tyre. Ç’llogari do japin ata popujve të tyre nëse i thonë PO në Bruksel një vendi nga i cili del drogë e krim? Sigurisht që këto gjera ja thonë edhe burokratëve të Brukselit të cilët paguhen nga taksat e tyre, por që për vite kanë fshehur realitetin.
Të mos harrojmë arsyet e mungesës së “PO” gjenden këtu midis nesh. Gjenden tek qeveria e keqe dhe shumë e keqe por edhe tek paaftësia jonë për ta larguar atë njëherë e mirë. Nga kjo qeverisje e keqe, eksportohet krim e drogë, të cilat janë bërë lajme negative në shumë rrugë e lagje të Europës. Njerëzit atje i bëjnë presion qeverive të tyre dhe këto të fundit janë të detyruara të reagojnë.
Kjo na është bërë e qartë kristal dy vitet e fundit nga politika gjermane dhe Hollandeze. Franca nuk ishte ndjerë ende asokohe. Ndaj kjo vjersha e “çështjeve të brendshme” të BE është shumë bajate. E neveritshme madje!