Maratona e Tiranës, Veliaj: Mundësi për të promovuar kulturën dhe sportin

Në 20 Tetor nis Maratona e Tiranës, Veliaj: “Një ‘pushtim’ i bukur i qytetit; mundësi për të promovuar kulturën dhe sportin” Tirana është gati të mirëpresë rreth katër mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 8-të Maratonës më 20 tetor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët dhe vullnetarët e ngjarjes më të madhe sportive të vitit, për të koordinuar detajet e fundit dhe mbarëvajtjen e eventit. Ai u shpreh se Maratona e Tiranës është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar qytetin.

“Maratonën e Tiranës e kemi kthyer në traditë prej 8 vitesh. Do të vijnë vrapues nga Andorra, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Hungaria, India, Irlanda, Japonia, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Anglia, dhe kur shikoj se kemi vrapues edhe nga Meksika, Maroku, Kenia, Kanadaja, do të thotë se praktikisht po na vjen e gjithë bota në shtëpi. Ne e dimë edhe nga historia e Luizës apo Taulantit, se një atlet është edhe një influencer. Praktikisht, kemi një super mundësi që këtë Tiranën që e njohim për jetën, gjallërinë, kulinarinë, e mikpritjen, ta njohë e gjithë bota”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se në këto 8 vite qyteti është maturuar për të mirëpritur organizime të tilla madhore.

“Më kujtohet viti i parë i Maratonës, kur njerëzit thoshin: ‘Kryetar, na çmende, ç’janë këto rrugë që bllokon?’ Ca guximtarë shtynin policët dhe futeshin mes vrapuesve, ndërkohë që sot shikon se si qyteti është pjekur dhe e ka kuptuar që, nëse ua lëmë 4-5 orë qytetin atyre që e shkatërrojnë dhe e djegin, mund t’ua 4-5 orë edhe atyre që do vrapojnë dhe do e promovojnë. Ky është një ‘pushtim’ i bukur i qytetit, jo si ajo që pamë në fillim të javës”, tha ai.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për të Tiranës për kufizimin e qarkullimit të lëvizjes në disa prej rrugëve në kryeqytet në ditën e maratonës. “Do të doja shumë që ta përdorim këtë mundësi për të komunikuar me qytetarët, në mënyrë që kush preket nga perimetri i maratonës, ose të dalë pak më herët nga shtëpia, nëse do shkojnë diku për fundjavë, ose t’i lënë për pas dreke lëvizjet. Përveçse emergjencave, çdo qytet, edhe Nju Jorku, Tokio, Londra, Berlini, çdo vend që ju keni parë, maratonën e respekton si një mundësi e jashtëzakonshme për sportin. Nëse një turisti i duhen 10 ditë për të parë çdo gjë në Tiranë, ata të maratonës praktikisht për 1-2 orë do shohin gjithë pikat kryesore të Tiranës dhe do marrin shijen e qytetit tonë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku dha disa detaje për çmimet që do jepen këtë vit, ndërsa shtoi se garës së Maratonës së Tiranës do i paraprijë, si çdo vit, gara “Fun Run”, ku pjesëmarrës janë të rinjtë e qytetit. “Gara Fun-Run bëhet kryesisht për të motivuar të rinjtë që të merren me sport. Ajo bëhet ditën e shtunë, kurse maratona profesioniste të dielën. Ka disa kategori: 42km, 21km, 10km dhe 5km për kategorinë ëe-Too, e cila bën pjesë të këtij gëzimi të madh të qytetit edhe personat me aftësi ndryshe. Mezi e pres atë ditë dhe në këtë edicion të 8-të forcojmë një traditë të jashtëzakonshme, por duke u siguruar të mos pengojmë përditshmërinë e qytetit. Rreth një mijë prej atletëve që garojnë janë profesionistë dhe vijnë për të fituar çmimet, të cilët këtë vit janë 5000, 3000 dhe 2000 euro”, tha Veliaj.

Maratona e Tiranës është një manifestim për një jetesë të shëndetshme, por edhe një mundësi për t’u marrë me sport.

SHKARKO APP