Mark Frroku: Akuzat e Doshit, një lojë parazgjedhore
Mark Frroku përsërit se nuk është ai personi që ka njoftuar Tom Doshin për planin e vrasjes së tij. Ai thotë se ka mbetur i habitur kur Doshi e përfshiu në këtë sajesë. Frroku shprehet se gjithë kjo histori është një lojë parazgjedhore.
“Që në fillim kam shprehur habinë se si emri im u lakua dhe më pas u vu në qendër të kësaj historie. Por, të gjithë ata që kanë qenë të vëmendshëm në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje në media, e kuptojnë fare mirë se unë nuk jam personi që e kam njoftuar Tom Doshin për skenarë të mundshëm vrasjeje dhe se as kam pasur dijeni. Por, kjo nuk më ka penguar mua që t’i përgjigjem thirrjes që më ka bërë organi i akuzës. Unë jam vënë në dispozicion të drejtësisë, në respekt të ligjit, por edhe të familjes sime, të miqve, të partnerëve dhe, mbi të gjitha, të zgjedhësve të mi në qarkun e Shkodrës”, thotë ai për “Panorama”.
“Tashmë, të gjitha këto detaje janë pjesë e dosjes hetimore dhe unë kam besim se të dhënat hetimore do të mbeten sekret i çështjes, derisa dosja të kalojë në Gjykatë. Unë kam dëshmuar edhe si qytetar i përgjegjshëm, në mënyrë që të respektoj autoritetin e shtetit, por edhe të distancohem nga çdo trillim, hamendje apo skenar që, në rastin më të mirë, është një lojë para zgjedhjeve dhe, në rastin më të keq, çorodit punën e institucioneve shtetërore dhe ul autoritetin e tyre para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, vijon Frroku.