Mark Frroku i shiti aksionet e Xhoi Lloto tek kreu i një rrjeti rumun të prostitucionit

 

Zhvillime te rendesishme ne  dosjen "Frroku". Një muaj përpara se të merrte mandatin e deputetit, Mark Frroku i shiti 20 përqind të aksioneve të kompanisë së tij “Xhoi Lloto”. Blerësi rezulton të jetë drejtuesi i një prej grupeve kriminale më të njohura rumune në Rumani e disa vende të BE. Gjeorgjano -izraeliti Amiran Dzanashvili drejtonte një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit të klasit të parë. Për këtë arsye ai u arrestua në nëntor të vitit 2014. Por para arrestimit, me Mark Frrokun, i dyshuar gjithashtu për shfrytëzim prostitucioni në Belgjikë, kishte mbyllur dy kontrata, me një vlerë rreth 1.5 milionë euro. Kontratat e siguruara nga Shqiptarja.com janë sekuestruar nga prokuroria dhe janë pjesë e dosjes së prokurorisë, e cila duket se po heton edhe për pastrim parash. Më 20 maj të vitit 2013 Dzanashvili ka blerë për 80 milionë lekë 20 përqind të aksioneve të “Xhoi Lloto”. Por afro një vit më vonë, më 27 shkurt të vitit 2014 nënshkruhet një tjetër kontratë me vlerë 1.4 milionë euro për blerjen e 30 % të aksioneve që Mark Frroku kishte në kompaninë “Xhoi Lloto”.

Transaksioni 1.4 milionë euro për këto kontrata ka kaluar nëpërmjet bankës Credins, të bankierit të vrarë më 26 qershor të vitit 2014, shkruan Shqiptarja.com. Pagesat janë bërë me 5 këste. Ai i fundit, prej 200 mijë eurosh, është shlyer më 20 qershor të vitit 2014.

Amiran Dzanashvili njihej në Rumani si pronari i disa kazinove, hoteleve luksoze e disa kompanive në Bukuresht. Ai u bë pjesë e një grupi kriminal që drejtohej nga Sile Camataru, që drejtonte një rrjet prostitucioni.

Aktivitetin, ky rrjet, e ushtronte në hotelet dhe kazinotë e Dzanashvilit. Policia rumune ra në gjurmët e këtij rrjeti kriminal dhe e hetoi për disa muaj. Në nëntor të 2014 –ës u arrestuan 23 persoan, mes tyre edhe Dzanashvili.

 

Blerja e aksioneve të Xhoi Lloto, prokurorët shqiptarë besojnë se është pjesë e planit për pastrimin e parave të këtij rrjeti kriminal.

SHKARKO APP