Mark Frroku: Jam betuar si deputet dhe malësor me tradita, nuk kam kryer vrasje

Deputeti kristian-demokrat Mark Frroku mbërriti sot rreth orës 10:00 në Kuvendin e Shqipërisë i shoqëruar nga 2 makina policie. Seanca e sotme plenare do të vendosë për arrestimin ose jo të tij, pas kërkesës së prokurorisë, që e ka vënë përballë akuzave të ngritura nga autoritetet belge se dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor në vrasjen e një shqiptari, Aleksandër Kurtit, në vitin 1999. Pretendohet se një gjykatë belge e ka dënuar Frrokun për këtë krim me 10 vjet burg, ndaj edhe i është kërkuar Interpol Tirana, ekstradimi i tij.  Frroku doli para Kuvendit, për t’u shpjeguar para se të jepet vendimi.  – “I nderuar zoti kryetar, pas një jave ndodhi sërish në këtë vend, për një akuzë tjetër nga prokurori. Nëse në rastin e parë pashë të arsyeshme të flas nga karrigia, tani jam në këtë foltore të shenjtë për të sqaruar opinionin publik,” – theksoi Frroku. – “Unë jam betuar jo vetëm si deputet por edhe si malësor, me rregullat e caktuara dhe jo si këto malësorët e sot. Unë nuk kam vrarë apo shtyrë njeri për të vrarë apo kanosur njeri. Nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga asnjë gjykatë belge apo ndonjë vend të botës. Kam respektuar kushtetutën e Shqipërisë si qytetar si sipërmarrës si politikanë dhe si deputetë në këto 18 muaj,  sot jam gati t’ju shpjegoj para zgjedhësve e shqiptarë të gjitha akuzat që bëhen ndaj meje,” – u shpreh Frroku. – “Është e vërtetë që në 98’ kam emigruar drejt Belgjikës, dhe atje kam siguruar azil politik. I vetmi dokument për të siguruar dokument në BE ishte të paraqiteshe si kosovar. Pasi kam qëndruar për rreth 4-5 muaj atje, më është refuzuar qëndrimi  dhe kam lënë Belgjikën për t’u kthyer në vendin tim. Pas kësaj unë për herë të parë emrin Aleksandër Kurtit je kam dëgjuar pas pak kësaj ngjarjes që ndodhi. Dua t’i përcjell ngushëllimet familjes Kurti dhe bashkohem me dhimbjen e tyre dhe dua t’i garantoj që nuk jam asnjë lidhje me këtë çështje. Trupi i pajetë i tij u gjet nga policia belge më 5 mars 1999. Unë kam deklaruar se nuk kam qenë në Belgjikë  në atë kohë, dhe deri në 2004 unë nuk kam shkelur kurrë në atë vend. Këtë gjë unë dhe avokatja ja kemi bërë të qartë organeve belge. Në mars 2013 familja ime në prani të 24 burrave dhe dy klerikëve u ka bërë be familjes Kurti. Është një ndryshim shumë i madh dhe ftoj median ta përcaktojë mirë këtë çështje, sepse bërja be me 24 burra dhe falja e gjakut kanë një ndryshim shumë të madh. Familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti,” theksoi Frroku mbi akuzat e fundit që i janë ngritur.  

SHKARKO APP