Mark Marku: Venecia do t’i japë të drejtë faktorëve kundër anti-shpifjes
Analisti dhe pedagogu Mark Marku e ka cilësuar tërheqjen e shumicës qeverisëse nga paketa “Anti- Shpifje”, si një truk për të gënjyer ndërkombëtarët, pasi Shqipëria është para diskutimit të negociatave. Në një intervistë në rubrikën “Opinion” në News24 Marku shprehet se qeveria bëri mirë që u tërhoq, pasi do të shkaktonte një dëm shumë të madh në demokracinë shqiptare me miratimin e Paketës “Anti- Shpifje” si dhe beson se pikërisht Komisioni i Venecias do t’i japë të drejtë faktorit kundër Anti- Shpifjes.
Pyetje: PS u tërhoq nga Anti- Shpifja, a është një tërheqje e përkohshme?
Mark Marku: Besoj se po, është tërheqje. Nuk vjen vetëm prej faktit që ka kaluar në Komisionin e Venecias pasi e ka kalur dhe Këshilli i Europës. I kalon zakonisht Parlamenti apo Gjykata Kushtetuese. Hera e parë që e dërgon një institucion tregon peshën që ka kjo çështje.
OSBE, Këshilli i Europës, PE thanë që nëse kalon ky ligj do të jetë problem për negociatat. Presioni ndërkombëtar ka qenë shumë i madh. Po ashtu dhe ai i brendshëm. Të gjitha organizatat e mediave edhe këtu në Shqipëri kanë qenë kundër. Pra ka patur një rezistencë të madhe. Qeveria ka bërë shumë mirë pasi po ta kalonte do të bënte gabim, dëm në demokraci.
Nuk kishte nevojë që të shkonte gjëja deri këtu. Unë mendoj që kjo nuk dihet pasi qeveria është e paparashikueshme, mund të jetë dhe tërheqje përfundimtare. Jemi në procesin e negociatave sërish dhe mund të jetë edhe një truk. Parimi i qeverive shqiptare është mungesa e lojalitetit me BE, që mendojmë t’i gënjejmë, kalojmë këtë fazë dhe më pas kalojmë në atë tonën. BE ka disa standarte dhe vlera mbi të cilat është ndërtuar ai qytetërim, dhe mungesa e kësaj qeverie është që cështjen e BE-së e quan si spektakël politik dhe jo si një rrugë të gjatë që do të duhet që ne përpara se të bëhemi pjesë e BE duhet të bëhemi vetë europiane, në shoqëri, në pushtet, në demokraci. Për fat të keq në këtë pikë nuk jemi të sinqertë me europën. Ne nuk kemi asnjë standart europian. Duam të futemi në BE pa këto standarte.
Duhet monitoruar deri në fund që për momentin nuk do ta kalojnë, kam bindjen se Këshilli i Venecias do t’i japë të drejtë faktorëve kundër Anti- Shpifjes. Pasi ajo sheh parimet të demorkacisë, medias, lirisë së fjalës. Këto janë parime në SHBA, Kanada etj.
Fryma e ndryshimeve është anti- demokratike. Ligji për mediat audiovizive ka krijuar probleme pasi pas një farë kohe çdo ligj krijon probleme. Ky ligj që ka qenë i mirë mund të bëhet i papërdorshëm prej saj.
Por ky bllok amendimesh jo vetëm e përmirësojnë atë ligj por e destrukturojnë atë. Duhet një konsensus me aktorët mediatikë. Ligji i 1994, ligji për shtypin ka qenë një ligj i marrë nga një Land i Gjermanisë, por meqenëse u kundërshtua nga mediat atëhere u miratua me forcën e kartonit por nuk u zbatua kurrë. Më pas u hoq dhe u la një nen që mediat në Shqipëri janë të lira. Një imitim i Kushtetutës së SHBA. Ishte ligj i konsoliduar, s’kishte asnjë problem por media në bllok e kundërshtoi.
Praktikisht ai ligj nuk u zbatua kurrë. Një ligj s’mund të zbatohet në kundërshtim me aktorët kryesorë. Qeveria në një shoqëri demokratike nuk mund të zaptojë aktorët kryesorë, mund ta bëjë vetëm kur zapton demokracinë. Tërheqja është një truk ndaj ndërkombëtarëve”– thotë Marku.