Marko Dajti: Shqipëria do të shuhet nëse do vriten politikanë?!
Fronti i Majtë i bën thirrje popullit shqiptar të mos bëhet pjesë e karagjozllëqeve të politikës së kalbur shqiptare.
Përmes një deklarate për mediat, kryetari i Partisë së Punës, Marko Dajti, i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin në protesta.
Sipas tij është fatkeqësi të shikosh sot, 25 vjet pas rënies së sistemit socialist, se si qindra mijëra fakirë i shkojnë ende nga pas Sali Berishës apo Edi Ramës dhe mbushin sheshet me urdhër partie.
“Çfarë kanë bërë këta politikanë për 25 vjet për popullin, përveçse i kanë shtrënguar gjithnjë e më shumë lakun rreth qafës? Së fundmi, sërish me vendim të SHQUP-it, dhjetëra mijëra njerëz u grumbulluan në bulevard për të protestuar për një video. A thua se Shqipëria do të shuhet nëse do të vriten politikanë apo ministra?”, shprehet Dajti.
Kryetari i Partisë së Punës, Marko Dajti ironizon protestat e demokratëve në shesh, që sipas tij bëhet për qëllime politike, ndërsa nuk protestuan për përmirësimin e kushteve të tyre politike.
“A protestuan sepse populli nuk ka bukë të hajë? A protestuan sepse tritoli po bën kërdinë në çdo rrugë? A protestuan sepse fakirët po varin veten për faturat e energjisë, për burgosjet e padrejta, për prishjet e paligjshme të shtëpive? A protestuan për ato dhjetëra projekte që Luli thotë se i kanë mbetur në sirtar pasi qeveria e pengon t’i shërbejë qytetarëve? Jo! Protestuan për tentativën për vrasjen e dy deputetëve, përfaqësues të asaj politike që për 25 vjet u ka nxirë shqiptarëve përditë e më shumë edhe jetën, edhe ajrin që thithin, edhe diellin. Ata vjedhin, grabisin, xhirojnë video për njëri-tjetrin dhe pastaj nxjerrin popullin “në pritë” për ta vrarë në bulevard si në 21 janar. Dhe frutat i marrin sërish ata. Ata që qeshin me këtë popull teksa ulen bashkërisht në tavolinat ku ndahet plaçka e vjedhur”:, thotë Dajti.
Në thirrje drejtuar qytetarëve shqiptare, Dajti shprehet se ka ardhur koha që populli shqiptar të ndërgjegjësohet për forcën e madhe që ka në veten e tij dhe të mos ndjekë më nga prapa ata që e mashtrojnë ditën e votimit me një thes miell dhe i grabisin votën që përkthehet në pushtet.
“Ka ardhur koha që të rikthehet në pushtet e majta e vërtetë dhe jo shërbëtorët e hajdutëve që janë pasuruar duke grabitur djersën tënde!Ka ardhur koha që të dalim të gjithë bashkë e të mbushim rrugët e sheshet për të protestuar për kauzat e vërteta! Nuk mund të shikojmë të pafuqishëm se si na vjedhin, na poshtërojnë, na kërcënojnë e na përdhunojnë përditë. Mjaft më me politikanë dhe ish-politikanë të konsumuar, me Kryeministra dhe ish-Kryeministra që nuk kanë fytyrë t’i dalin përpara popullit të vet”, thekson Dajti, drejtues i Frontit të Majtë.
KOHA JONË SONDAZH

