Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Rama në Athinë: Janë në pikun e tyre, politikanët duhet të përshtaten
I pranishëm këtë mbrëmje në Forumin Ekonomik “DELPHI 2023, World Affairs”, që po mbahet në Athinë, kryeministri Edi Rama i vlerësoi si shumë të shkëlqyera marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke e cilësua vendin fqinj si një prej partnerëve kryesore.
Kreu i qeverisë njoftoi nga ky forum se shumë shpejt do të hapet një Dhomë Tregtie e përbashkët Shqipëri-Greqi që do t’i japë një shtysë zhvillimit të ekonomisë.
“Marrëdhëniet me Greqinë janë në pikun e tyre. Po punojmë shumë ngushtë dhe ka gatishmëri për të bërë shumë gjëra bashkë. Marrëdhëniet mes popujve janë kaq të mira sa politikanët duhet të përshtaten në kuptimin që nuk duhet të jenë pengesë kur marrëdhëniet janë fantastike. Gjatë detyrës time kemi pasur dy situata të vështira. Një është shkaktuar si pasojë e një mosmarrëveshje për kufijtë detare që kemi zgjedhur ta zgjidhim në Hagë.
E dyta ka lidhje me situatën e vështirë që kaloi Greqia e cila e ka mbyllur Greqinë me rajonin dhe ka qenë më shumë e fokusuar te vetja. Tashmë me Mitsotakis, Greqia është kthyer në rajon dhe kjo është një gjë e shkëlqyer. Greqia është një partner shumë i mirë sa i përket çështjes së integrimit. Ne presim një zhvillim të ri që është krijimi i Dhomës Tregtare që është një lajm shumë i mirë”, tha mes të tjerash Rama.