Marrëveshja, Basha: Një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Është arritur marrëveshja mes palëve për Reformën Zgjedhore. Mësohet se Këshilli Politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve.

Kjo konfirmohet edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha.

“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve. Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor”, shprehet Basha.

Marrëveshja

Dhe kur kishin kaluar tre ditë nga deklarata e ambasadores Kim, është arritur dhe marrëveshja e shumë-kërkuar nga ndërkombëtarët mes palëve për Reformën Zgjedhore. Mësohet se Këshilli Politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve. Po ashtu, palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje. Kjo shihet si mundësia më e mirë për të ndaluar votimin në shumë se një herë. Palët zgjidhën edhe çështjen që mbajti pezull dakordësinë për 4 ditë, atë të përbërjes së komisioneve zgjedhore. Burime bëjnë me dije se PS-ja u tërhoq nga depolitizimi i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. PS e mori këtë vendim të papritur, pasi opozita kërkoi që administrata publike të jetë e përjashtuar, sipas një formule të propozuar nga BE-ja. Mësohet se PD-ja e pranoi në mëngjesin e djeshëm këtë formulë për depolitizimin. Për zgjedhjet e ardhshme, komisionet do të mbeten siç janë aktualisht. Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ-së. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike, ku kryetari zgjidhet me konsensus, ndërsa nënkryetari nga opozita. Ndërkaq, Puna e Këshillit Politik nuk ka mbaruar. Puna do të vijojë për çështjet e tjera në Këshill, që nuk kanë të bëjnë me administratën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që Parlamenti të mos e ndryshojë dot draftin pa pëlqimin e palëve në Këshillin Politik. Mësohet se rol kyç në dakordësinë mes palëve ka pasur Komisioni Europian.

SHKARKO APP