Arrihet marrëveshja: Byroja e Hetimit, në varësi të prokurorisë
Mazhoranca dhe opozita arrijnë dakordësinë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Burime brenda Komisionit të Reformës në drejtësi po bëjnë me dije se palët kanë rënë dakord që Byroja të jetë në varësinë e Prokurorisë së Përgjithshme.
Kujtojmë se komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi është mbledhur paraditen e sotme për të rinisur dialogun politik për reformën në drejtësi.
Mbledhja që po zhvillohet me dyer të mbyllura, vazhdon të diskutojë për çështjet e mbetura hapura mes paleve në opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias që lidhen me paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese.
Pikat e mbetura pezull parashikohet t’i shtrohen për zgjidhje ekspertëve të misioneve ndërkombëtare të drejtësisë, EURALIUS dhe OPDAT.
Thelbi i mosmarrëveshjeve, sipas opozitës, lidhet me Këshillin e Emërimeve, ku ajo kundërshton procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë, që nuk garanton pavarësi.
Reforma në drejtësi hyri në ngërç pas mosdakordësive në zbatimin e rekomandimeve të draft-opinionit të Venecias.
Por me miratimin përfundimtar nga Komisioni më 11 mars, paketa e ndryshimeve kushtetuese i kaloi Kuvendit të Shqipërisë për miratim, i cili pritet ta kalojë brenda ketij muaji reformën më të rëndësishme për politikën shqiptare, që është dhe kushti kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim ne BE.
KOHA JONË SONDAZH

