Marrëveshja, LSI merr 15 bashki. Rama: Në Tiranë mund të kandidojë një grua

Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfaqësohet në koalicionin qeveritar me 15 kandidatë për Kryetarë Bashkish nga 61 njësi vendore që ka vendi. Kjo ëhstë konfirmuar nga Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, pas takimit të zhvilluar në selinë e kësaj partie me kreun e Kuvendit Ilir Meta, njëherëz Kryetar i LSI-së.

Gjithashtu Rama ka lënë të hapur mundësinë që për Bashkinë e Tiranës koalicioni qeveritar të propozojë si kandidate një grua. Kandidatët zyrtarë të koalicionit qeveritar për zgjedhjet e 21 Qershorit do të përmbyllen brenda muajit.

“Ishte një takim për të finalizuar fazën e parë të procesit.Kemi konkluduar në parim që në zgjedhjet e 21 qershoprit do paraqitemi me kandidatë të përbashkët. Do të ecim me një formulë të re, çdo njëra nga partitë do të ketë të drejtën e propozimit për një numër njësish dhe të drejtën për të dhënë votën për dakordësinë ose jo të kandidatëve.Më pas do të vijojmë me shoshitjen e kandidaturave. Do të bëhen propozimet dhe do shikohen.

Kemi përcaktuar njësitë që do të presim propozimet nga LSI-ja. Përkatësisht janë: Berati, Lezha, Kukësi, Gjirokastra, Pogradeci, Skrapari, Vora, Bulqiza, Kuçova, Cërriku, Mallakastra, Delvina, Prrenjasi, Selenica, Kolonja. Për këto Bashki presim propozimet nga LSI”, tha Rama.

Në vijim duke sqaruar ecurinë e negocimeve, Kreu i Qeverisë sqaroi se do të shoshiten të gjitha kandidaturat që do të propozohen, pasi zgjedhjet e 21 Qershorit janë të një natyre të vecantë dhe kanë një peshë jashtëzakonisht të vecantë, pasi jemi në kushtet për të jetësuar një reformë historike, sikundër është ajo që u realizua për herë të parë, reforma administrative-territoriale.

Gjithashtu Rama konfirmoi se PS është e hapur me të gjitha partitë për krijimin e një aleance të gjerë, duke përjashtuar prej saj vetëm Partinë Demokratike, republikanët dhe ballistët.

“Ne e kemi thënë se jemi të hapur për një koalicion të gjerë, natyrisht këtu nuk përfshihet PD dhe satelitët e saj republikano-ballistë që nuk kanë lidhje me zhvillimet e reja, me rrugën e re ku ka hyrë Shqipëria”, theksoi Rama.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e konsideroi bashkëpunimin e deritanishëm si  mjaft konstrukltiv, ndërsa shtoi se ai do të jetë edhe më konstruktiv deri në zgjedhjet e 21 Qershorit.

“Shqetësimi ynë i përbashkët është që kjo reformë madhore, reforma administrative-territoriale të kurorëzohet me sukses përmes zgjedhjes së administratorëve më të mirë dhe më të shquar që do të kenë mundësi të ndërtojnë mundësi të reja dhe mjaft domethënëse.

Vetëm përmes zgjedhjes dhe përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë kjo reformë do të japë impaktet më positive.

Kandidatët janë të përbashkët do të përzgjidhen me consensus. Cdo forcë politike duhet të ofrojë emrat sa më përfaqësues”, theksoi Meta. 

SHKARKO APP