Marrëveshja me Italinë për refugjatët, Rama: Po ta bënte një vend tjetër, nuk do ta zinit me gojë
Për kryeministrin Edi Rama mbështetja e Gjermanisë për marrëveshjen mes vendit tonë dhe Italisë për refugjatët është shumë e rëndësishme. Mbi të gjitha për faktin sepse tregon që kjo marrëveshje nuk është në shkelje të vlerave europiane e njerëzore.
Në konferencën për shtyp nga Bavaria, kreu i qeverisë shqiptare tha se emigracioni nuk mund të jetë ”mallkimi i Italisë” dhe se të gjitha vendet duhet të marrin pjesë në trajtimin e këtij problemi. Rama theksoi se fakti që Shqipëria po bën pikërisht këtë, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e politik.
”Së pari, më duhet të them se është shumë e rëndësishme të dëgjosh nga të dyja palët këtu në Gjemani, se ajo çfarë po bëjmë nuk është në shkelje të asnjë vlere evropiane dhe të asnjë vlere njerëzore, pasi nuk ishte e dukshme kur e nisëm këtë gjë dhe u përballëm me shumë kritika, sidomos nga miqtë e mi homologë socialistë në Evropë, ndërkohë që është shumë e thjeshtë në sytë e mi.
Në qoftë se kjo marrëveshje do të ishte lidhur, po themi, midis Italisë dhe Republikës Çeke apo në qoftë se Shqipëria nuk do të ishte Shqipëria, por do të ishte, të themi Sllovakia, askush nuk do ta kishte zënë me gojë, do të kishte qenë gjëja me e natyrshme, solidaritet evropian dhe ka një marrëveshje nëse nuk gaboj, Emanuele e di më mirë sesa unë, brenda Bashkimit Evropian, që mbështetet tek koncepti i rishpërndarjes, apo jo, ç’ka nënkupton se nuk mund të jetë mallkimi i Italisë që është toka e parë përtej detit Mesdhe që shihet nga Afrika dhe nuk mund të jetë mallkimi i Gjermanisë, që është Gjermania.
Pra, të gjitha vendet duhet të marrin pjesë dhe fakti që ne po bëjmë pikërisht atë çfarë të shkruhet në marrëveshjen evropiane, një qendër pritjeje për të shqyrtuar çdo rast dhe për të kryer të gjitha procedurat bazuar në ligjet evropiane, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e politik. Ka shumë konflikte politike bazuar në interesat e politikës së ditës kur vjen fjala për këtë temë e po kështu edhe për shumë tema të tjera dhe kjo është humbje kohe, kjo krijon huti mes njerëzve dhe kjo është të humbasësh horizontin për nga e ardhmja”,-tha Rama.