Marrëveshja me Zvicrën, Mazniku: Programe ndihmëse për pushtetin vendor
Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunimin, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2””.
Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha gjatë fjalës së tij se marrëveshja ndihmon në funksionimin e bashkive, ku nënvizoi sistemin për matjen e performancës vendore. “Marrëveshja ka disa programe që ndihmojnë pushtetin vendor për mirëfunksionimin e tyre. Do ketë disa grante për fusha të ndryshme, si arsimi parashkollor, ekonomia, etj”, u shpreh Mazniku.
Relatorja e çështjes, Hatixhe Konomi, vlerësoi projektligjin si dhe ftoi kolegët ta miratojnë atë. “Projektligji vjen si sukses i fazës së parë të këtij projekti. Kërkohet vijimi i bashkëpunimit. Do mbështeten këshillat bashkiakë, arsimi parashkollor, menaxhimi i mbetjeve, etj. Projekti ndikon në rritjen e performancës së bashkive”, u shpreh Konomi.