Marrëveshja për 25 prillin, Basha firmos me Shehin dhe Ndokën
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka lidhur marrëveshje edhe me dy aleatë të tjerë, një ditë pasi gjeti dakordësinë me kreun e PAA-së, Agron Duka. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe lideri i PDK-së, Nard Ndoka, do të jenë në listat e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit.
Shehi dhe Ndoka do jenë pjesë e listave për deputetë në qarqet Tiranë dhe në Shkodër. LZHK-ja dhe PDK-ja, nga ana tjetër do të kenë edhe kandidatët e tyre në zona të tjera të Shqipërisë.
Dje Basha firmosi marrëveshjen edhe me kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Ky i fundit do të jetë tashmë një nga tre emrat e parë të listës së koalicionit në qarkun e Durrësit, praktikisht tek pjesa fituese dhe në 12 qarqet e tjera të vendit, PAA-ja do të ketë kandidatë në çdo qark.