Marrëveshja sekrete me Pfizer, Meta: Unë jam për transparencë totale, edhe kur pi një Coca-Cola duhet të dish datën e prodhimit

Nga qyteti i Vlorës, Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot marrëveshjen e Qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer, për vaksinën anti Covid, e cila është cilësuar sekret shtetëror.

Pak orë para se sot kjo marrëveshje të shkojë në parlament për t’u miratuar, Presidenti Meta vuri theksin tek transparenca, si një instrument që rrit besimin tek publiku për procesin e vaksinimit.

Sipas kreut të shtetit, edhe kur pi një pije si Coca-Cola, duhet ta dish kur është prodhuar apo kur skadon.

“Unë jam për transparencë totale se dhe kur pi një Coca-Cola duhet ta kesh kohën kur është prodhuar e kohën kur skadon. Kjo ndihmon për forcimin e besimit se dhe kjo luftë me pandeminë është çështje besimi. Gjithë institucionet duhet të bëjnë gjithçka për të rritur këtë besim përmes transparencës maksimale”, tha kreu i shtetit.

Marrëveshja me Pfizer që ratifikohet sot në Kuvend ka kushtet e konfidencialitetit dhe deputetët do të njihen me çdo detaj të saj, por ajo është cilësuar sekret shtetëror dhe ata nuk kanë të drejtë të nxjerrin asnjë informacion.

SHKARKO APP