Marshimi në Tiranë, Presidenti Meta: Të dëgjojmë me përulësi zërin e punëtorëve
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punës, qytetarët kanë mbajtur një marshim nga sheshi “Skëndërbej” deri te Kryeministria. Presidenti Ilir Meta i cili ka reaguar për këtë protestë paqësore, thotë se duhet të dëgjojmë me përulësi zërin e punëtorëve. “Pasojat e rënda dhe afatgjata të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, në veçanti rritja abuzive e çmimeve, e shtrojnë më me forcë këtë domosdoshmëri, në veçanti për rritjen e pagës minimale”.
Postimi i plotë
1 Maji nuk mund të jetë thjeshtë një ditë feste, por një ditë reflektimi për të gjitha ditët dhe kushtet e punës në Shqipëri.
Puna jo e mirëpaguar, pa kontratë të rregullt dhe kontribute pensioni, pa sigurim shëndetësor dhe të drejta për pushim me pagesë e zhvesh punëtorin nga dinjiteti dhe e vendos në një marrëdhënie shfrytëzimi.
Kjo situatë duhet të marrë fund!
Pasojat e rënda dhe afatgjata të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, në veçanti rritja abuzive e çmimeve, e shtrojnë më me forcë këtë domosdoshmëri, në veçanti për rritjen e pagës minimale, garantimin e kushteve në vendin e punës dhe të çdo të drejte që siguron mirëqenie dhe drejtësi sociale.
Të dëgjojmë me përulësi zërin e punëtorëve!