Masakra e Reçakut/Meta me Ambasadorin Walker: Bëri denoncimin historik: Krim kundër njerëzimit
Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Kosovë, është takuar me ambasadorin William Walker, për të cilin thotë se shqiptarët kudo në botë i janë mirënjohës për denoncimin historik që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit. Sipas Kreut të Shtetit, ai ka vënë diplomacinë përmes Konferencës së Rambujesë, ndërsa ka treguar se e ka ftuar të vizitojë edhe Shqipërinë.
Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
I lumtur të ritakohesha në Kosovë me Ambasadorin William Walker. Shqiptarët kudo në botë do t’i jenë përherë mirënjohës për denoncimin historik që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit.
Integriteti i tij i lartë ndihmoi botën të zbulonte genocidin që ndodhte çdo ditë, dhe vuri diplomacinë në veprim përmes Konferencës së Rambujesë, dhe më pas ndërhyrjes historike të NATO-s, për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Europës. E ftova me shumë kënaqësi për të vizituar Shqipërinë, dhe sigurisht Sarandën që ai e do aq shumë.