Masakra në Shkodër. Shkon në 3 numri i viktimave, ndërron jetë Arlind Bushati
Ka ndërruar jetë Arlind Bushati, që së bashku me Hamza Licin u qëlluan me armë zjarri nga një makinë tjetër në lëvizje në Dobraç të Shkodrës.
Bushati u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa u dërgua në gjendje kritike për jetën në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 32-vjeçari nuk ia doli dot të jetojë.
Nga atentati i ndodhur sot në Dobraç të Shkodrës ka mbetur i vdekur Hamza Lici (23 vjeç) dhe Arlind Bushati (32 vjeç) që kanë qenë edhe objektivë të autorëve. Ndërkohë ka vdekur dhe një kalimtare e rastit, Flutra Basha. Ajo humbi jetën pasi një automjet i bërë “shoshë” nga plumbat doli jashtë kontrollit dhe goditi motorin ku udhëtonte ajo së bashku me bashkëshortin. Goditja rezultoi fatale për gruan, ndërsa burri i saj, Bashkim Basha përfundoi në spital në gjendje të rëndë.
Hamza Lici ishte vëllai i Ibrahim Licit, që dyshohet se ndodhet në Turqi, shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për vrasjen e Endri Mustafës. Ndërsa, Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidat i PD për Bashkinë e Shkodrës. Arlind Bushati disa javë më parë kishte deklaruar në polici se ishte kërcënuar me jetë.
Disa orë pas atentatit u gjet i djegur një “Range Rover” i dyshuar se është përdorur nga autorët në atentat.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion shtesë
Në vijim të informacioneve të dhëna më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër, si pasojë e plagëve të marra edhe shtetasi A.B., 32 vjeç.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
ish-prokurori Bledar Bejko, i ftuar në emisionin Open në News 24 ka komentuar masakrën e Shkodrës, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit.
Bejko tha se beson se kjo ngjarje do të zbardhet. Sipas tij, masakra ka pasur impakt të keq, ç’ka nuk dëshirohet nga strukturat qeveritare. Ai tha se ka ardhur koha që bandat kriminale të shkatërrohen.
“Mendoj se do të zbulohen autorët e masakrës në Shkodër. Masakra sot me disa viktima ka lënë impakt të keq dhe nëse nuk kapen autorët, mund të përhapet si epidemi.
Mendoj që ka ardhur koha që grupet kriminale të shkojnë në burg”, deklaroi Bejko, ish-prokuror dhe jurist.
Për masakrën e sotme në Shkodër, ku u vranë 3 persona dhe një tjetër është në gjendje të rëndë për jetën, janë shoqëruar 10 persona, mes tyre dhe Safet Bajri.