Masakra zgjedhore e 25 prillit, LSI: KAS nuk vlerëson asnjë fakt, por ne nuk do ndalemi

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar pothuajse çdo dosje të opozitës për zgjedhjet e 25 prillit. Në një konferencë për shtyp këtë të enjte, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, akuzoi KAS duke thënë se nuk vlerëson asnjë fakt.

”Refuzimi i kërkesave të opozitës për të dhënat mbi emërimet në 61 bashkitë e vendit, gjatë periudhës zgjedhore në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, rritje fiktive të ndihmës ekonomike, lejimi i ndërtimeve pa leje për interesa elektorale, fakt që e pranon dhe vetë qeveria e Rilindjes”,-tha më tej Braimllari.

Më tej ai nënvizoi se LSI-ja nuk do të ndalet deri në fund për të zbardhur të vërtetën e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.

Deklarata e plotë

Është e qartë për opinionin publik që 25 prilli ishte një masakër e vërtetë zgjedhore. Masakra zgjedhore tani është e vërtetuar me prova dhe me fakte konkrete.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nuk vlerësoi asnjë fakt nga masakra zgjedhore e 25 prillit. Refuzimi i kërkesave të opozitës për të dhënat mbi emërimet në 61 bashkitë e vendit, gjatë periudhës zgjedhore në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, rritje fiktive të ndihmës ekonomike, lejimi i ndërtimeve pa leje për interesa elektorale, fakt që e pranon dhe vetë qeveria e Rilindjes.

Masakra elektorale vijoi me shtetas që kanë votuar disa herë, në kutitë e votimit kishte më shumë fletë votimi sesa votues, numërues të rilindjes që plotësojnë me stilolaps fletët e votimit për partinë në pushtet. Këto fakte tronditëse të manipulimit masiv të procesit zgjedhor nuk e kanë zgjuar SPAK që të veprojë për të vënë përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me ligjin dhe për të zbardhur të vërtetën për opinionin publik.

E gjithë vëmendja duhet të fokusohet tek zbardhja e masakrës zgjedhore të 25 prillit. Sepse këto fakte tronditëse mjaftojnë për të vërtetuar që zgjedhjet e 25 prillit kanë rënë. LSI-ja nuk do të ndalet deri në fund për të zbardhur të vërtetën e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.

SHKARKO APP