Masat e reja të Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë: Ndalohen tubimet politike
Komiteti Teknik i Ekspertëve, doli këtë të martë në një konferencë për mediat, ku folën për situatën e Covid-19 në Shqipëri. Drejtuesit e Komitetit bënë me dije se janë marrë masa të reja. Ekspertët kanë vendosur ndalimin e tubimeve politike dhe aktiviteteve partiake. Gjithashtu janë ndaluar grumbullimet e njerëzve më shumë se 10 persona.
”Situata mbetet e kontrolluar, por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14-ditore në 243 raste për 100 000 banorë. Numri total i rasteve aktive ka pësuar rritje në 504 për 100 000 banorë. Numri i pacientëve në spitale ka pësuar rritje krahasuar me një javë më parë. Në tre spitalet Covid janë shtruar 406 pacientë. Aktualisht, rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në 4 strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve, ndërkohë që skenarët e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid”, u shpreh drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.
Nga ana tjetër, ajo tha se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe për momentin përjashtohet një mbyllje e Shqipërisë. “Kjo është një situatë e cila vlerësohet në dinamikën e vet. Sot që flasim opsioni i mbylljes së Shqipërisë do të ishte opsioni i fundit. Sa i përket ecurisë së indikatorëve që masën situatën ne jemi akoma në momentin që ndërhyrjet e bëra do të na lejonin të vazhdojmë duke monitoruar javë pas jave. Vlerësimi i mbylljes është i parashikuar, nuk është se nuk e kemi parashikuar skenarët që ne ndodhemi sot, mesa ju kujtoj kemi qenë tejet të qartë se ezaurimi i kapaciteteve spitalore është element i rëndësishëm për të konsideruar vijimësinë e masave drastike për mbylljen e lokaleve apo të përgjithshme”, tha ajo.
Nëse Komiteti i Ekspertëve Teknik, morën vendimin për ndalimin e grumbullimeve me 10 persona, si do të bëhet me urbanët? Komiteti i Ekpsertëve nuk dha një përgjigje të qartë, por tha se primare është shëndeti. “Ne punojmë nga afër autoritet lokale që të mundësojmë këto problematike që derivojnë nga shëndeti, kështu që jam e sigurt që të respektohet një vendim që vendoset në krye të herës për shëndet”, tha Fico.
Sa i përket shkollave, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico nënvizoi se shkollat do të vijojnë të jenë të hapura pasi ka rezultuar që nuk janë një vatër e rrezikshme infeksioni. ”Sa i përket shkollave që kanë klasa me më shumë se 10 fëmijë, do doja t’ju thoja që në vlerësimin që kemi bërë në shkolla kemi vlerësuar që nga hapja e shkollës sepse shëndeti mendor, shkollimi, karakteristikat epidemiologjike të grumbullimeve na e kanë lejuar këtë gjë. Kemi grupim të veçantë dhe e raportojmë si të tillë, nëse numrat do të ndryshojnë ne do të marrim vendimin e duhur në kohën e duhur”.
Masat e reja janë:
1. Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.
2. Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.
3. Konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë.