Mashtrimi me mikrokreditë, Manja: Gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat
Ministria e Drejtësisë ka gati draftin për ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat pas mashtrimit me mikrokreditë. Vetë ministri Ulsi Manja në një prononcim për gazetarët, nënvizoi se këto ndryshime pritet të hidhen për konsultim publik, ndërsa synojnë forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim publik.
”Në aspektin e trajtimit institucional dhe ligjor e konsideroj të tejkaluar këtë proces. Ka një grup pune që funksionon dhe mblidhet pothuajse çdo javë me Bankën e Shqipërisë, ekspertë të ministrisë dhe zyrës së Kryeministrit. Është përcaktuar një plan veprimi i qartë se si ne po i qasemi këtij fenomeni, nuk janë përmasat e atij fenomeni që është thënë në media”, u shpreh ministri Manja duke iu referuar problematikave me mikrokredinë.
Manja tha se janë bërë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat. ”Ia kemi dërguar Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat, nuk e kemi hedhur ende për konsultim publik. Sa na takon ne si Ministri e Drejtësisë, mendojmë një paketë ndryshimesh në atë ligj, për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim publik. Jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi”, tha Manja. Ministri bëri me dije se të gjitha llogaritë bankare që kanë qenë të bllokuara për shkak të këtij procesi, tashmë janë liruar.