Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Rama ndan pamjet: Pajisje të teknologjisë së fundit dhe kushte moderne
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga investimi strategjik nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tek Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ku thuhet se synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat, fëmijët dhe gratë shtatzëna, duke sjellë pajisje të teknologjisë së fundit dhe kushte moderne për stafin dhe pacientët.
Ky projekt përfshin zgjerimin dhe përmirësimin e kapaciteteve në disa njësi kyçe, si shërbimi i urgjencës, sallat e operacionit, sallat e lindjes dhe reanimacionit. Përveç përmirësimit të infrastrukturës, spitali po pajiset me aparatura mjekësore të teknologjisë më të avancuar për monitorim dhe trajtim, duke rritur kështu efikasitetin e ndërhyrjeve dhe ulur rrezikun e komplikacioneve gjatë procedurave mjekësore.
“Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, janë drejt përfundimit punimet për modernizimin e infrastrukturës spitalore duke rritur kapacitetet e shërbimit të urgjencës, sallave të operacionit, sallave të lindjes dhe reanimacionit si dhe qendrën e gruas. Investimi i qeverisë dhe MSHMS, krahas pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit për monitorim dhe trajtim, do të sigurojë kujdes shëndetësor mjekësor më të avancuar për nënat, fëmijët dhe gratë shtatzëna, si dhe përmirësim të kushteve të punës për stafin e këtij materniteti duke rritur efikasitetin dhe ulur komplikacionet gjatë procedurave mjekësore”,-shkruan Rama.