Matësi që analizoi frutat dhe perimet, Braçe: Kompanitë që tregtuan ”lodrat kineze” ikën, ishte një fushatë e sponsorizuar
Deputeti i PS-së, Erion Braçe i është rikthyer sërish debatit që i krijuar në rrjet pas një alarmi që një gazetar influencer ngriti mbi nivelin e nitratit në frutat e perimet e prodhuara nga bujqit tanë. Braçe thotë se kjo e gjitha ka qenë një fushatë e sponsorizuar.
Braçe ka publikuar në Facebook përgjigjet që ka marrë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë Ushqimore e Veterinare dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes se Tregut. Deputeti thekson se këto institucione theksojnë se nuk kanë certifikuar ndonjë aparat të tillë për përdorim masiv. Institucionet thonë se analiza e produkteve bujqësore e blegtorale bëhet në laboratorë të certifikuar mbi baza ligjore, rregullatorë e mbi baza të direktivave të BE.
Ai thekson se sipas përgjigjeve të marra, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur hetimet mbi këtë rast dhe se institucionet kanë evidentuar dy kompani që kanë tregtuar pajisje të tilla. Por në përgjigje, Braçe thotë se institucionet i kanë thënë se dy kompanitë e kanë pezulluar statusin e biznesit në QKB.
5 përgjigjet e publikuara nga Erion Braçe
1. Asnjë nga këto institucione nuk ka certifikuar ndonjë aparat të tillë për përdorim masiv
2. Analiza e produkteve bujqësore e blegtorale bëhet në laboratorë të certifikuar mbi baza ligjore, rregullatorë e mbi baza të direktivave të BE.
3. Kjo pajisje jo vetëm qe nuk bën analize biologjike e kimike të produktit, por mbi te gjitha nuk është ndërtuar mbi bazë të ndonjë direktive të BE për këtë qëllim.
4. BE vetë, ka nivele maksimale të nitrateve vetëm për matricat: spinaq i freskët, spinaq i ngrirë, marule, marule e tipit iceberg, rucola dhe ushqim për fëmije me baze drithërash, bazuar në rregulloren e Komisionit Evropian; niveli i nitrateve të lejuara 2000-7000 mg no3/kg;
5. Institucionet kanë kërkuar dhe gjetur dy kompani që kanë tregtuar të tilla pajisje, por ato janë me status të pezulluar nga ato vete; po perse? Përse janë zhdukur e shfaqen veç në Instagram!