Maturantët në protestë/Vrapi: Testi s’ka gabime, nuk ka rivlerësim
Mijëra maturantë kundërshtojnë provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Këtë të premte ata protestuan për disa orë para Ministrisë së Arsimit por në një dalje për mediat, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi, thotë se testi nuk ka gabime. Sipas saj, nuk ka asnjë pretendim konkret as nga nxënës, as nga mësues. Lidhur me mosdaljen e variantin të zgjidhjes Vrapi u shpreh se kishte 4 versione të ndryshme dhe do të bënin nxënësit konfuzë po të hidhej.
”Pretendimi i tyre qëndron në lidhje nëse ka pyetje jashtë programit në test dhe dua të bëj me dije se asnjë pyetje nuk është jashtë programit. Ne kemi verifikuar një për një që para se të bëhej testi. Dua të bëj me dije se mënyra si bëhen pyetjet ka një procedurë rreptësisht të rregullt. Një nga veçoritë e këtij procesi është niveli i vështirësisë së testit. Ne ndjekim procedura të përcaktuara në metodologjinë tonë, që kanë lidhje me nivelin e vështirësisë. Teza kalon në dy duar, që mbajnë përgjegjësi për anën shkencore dhe strukturore të testit. Nëse kanë pretendime për pyetje konkrete, se deri tani nuk kanë asnjë pyetje konkrete. Një nga arsyet pse testi u bë vetëm me alternativa, ishte ajo e korrigjimit, për shkak të pandemisë. Ky ishte një detaj që MSH e mori në konsideratë për të ruajtur shëndetin e njerëzve. Këto pyetje janë të mira, sepse masin nivelin e nxënësve, por patjetër që ato nuk mund të vlerësojnë të menduarit kritik. Për këtë, u caktuan disa pyetje, që masin pikërisht njohuritë mbi esetë. Procesi nuk ka përfunduar ende, do bëjmë analizën, pastaj shpalljen e rezultateve. Nuk ka mundësi rivlerësimi, pasi testi nuk ka asnjë gabim shkencor. Ata nuk janë drejtuar me një pretendim të tillë për pyetje. Pas datës 18 qershor ne do të bëjmë shpalljen e rezultateve, edhe testi, edhe alternativa, që ata kanë zgjedhur për pyetje të caktuara do të bëhen publike”.
Qendra e Shërbimeve Arsimore njoftoi se nuk kishte asnjë pyetje jashtë programit dhe se maturantë që kanë ankesa për pyetjet janë të ftuar të adresohen QSHA-së.
”Qendra e Shërbimeve Arsimore njofton se Testi i Maturës Shtetërore 2020 është mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar. Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, nënvizojmë se NUK KA ASNJË PYETJE jashtë këtij programi. Në këtë kuadër, ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e ri-shpërndarjes së peshave të pikëve në test. I gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët. Duam të shprehim se testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime, qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit. Për sa i përket dy (2) testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, bëjmë me dije se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa, paçka se edhe kohëzgjatja prej 2 orësh e parashikuar në fillim është më se e mjaftueshme në zhvillimin e provimit”.
https://arkiva.kohajone.com/bojkot-provimeve-maturantet-peticion-per-testin-e-letersise-dhe-gjuhes-shqipe/
https://arkiva.kohajone.com/perplasje-me-policine-maturantet-besa-dil-perjashta-pse-ke-frike-foto/