Mazhoranca rrëzon Presidentin për anëtarët e Gjykatës së Lartë
Komisioni Parlamentar i Ligjeve me votat e deputetëve të maxhorancës i propozoi sot Kuvendit mosdhënien e pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e dy anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë. Kandidaturat e propozuara nga Kreu i shtetit ishin gjyqtarët Fuat Vjerdha dhe Markelian Koça, me një eksperiencë 20-vjeçare në sistemin gjyqësor shqiptar. Deputeti i PS-së, Armando Subashi deklaroi gjatë mbledhjes se Presidenti Nishani nuk ka respektuar procedurat, se nuk është konsultuar me grupet parlamentare. Nisur nga këto ai ka kërkuar rrëzimin e dekretit. “Presidenti nuk ka respektuar procedurat. Situata është thelluar më negativisht. Presidenti s’u konsultua me grupet parlamentare. Kërkoj të rrezojmë dekretet e Presidentit”, tha Subashi. Ndërsa deputeti Halimi tha se qëndrimi i mbajtur sot nga mazhoranca tregon kapjen e sistemit të drejtësisë. “Qëndrimi i shumicës, tregon kapjen e sistemit të drejtësisë. Dje dëgjuam dy gjyqtarë me cilësitë më të mira. Ju doni të vendosni gjyqtarë politik. Ju kërkoj të mos votoni kundër gjyqtarëve të ndershëm”, tha ai. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së në këtë mbledhje, deputeti petrit Vasili deklaroi se, “Kjo mazhorancë ka pasur koherencë. I kemi kërkuar Presidentit të ndërtojmë proces sa më të plotë dhe transparent. Janë rrëzuar kandidatura më të mira se sa kaq edhe nga mazhorancat e mëparshme”.