”Mazhoranca s’ka argumente”/ Fuga: Nuk gjykohet Presidenti për deklarata, puna e tij matet me dekrete
Akademiku Artan Fuga thotë se Presidenti nuk mund të gjykohet nga deklaratat pasi puna e tij matet me dekrete. Ky qëndrim vjen pasi mazhoranca ka nisur tashmë betejën ligjore, në një përpjekje të dytë për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e kreut të shtetit. Me konstituimin e Komisionit Hetimor, pritet edhe mbajtja e seancave.
”Sa i takon shkarkimit të Presidentit të Republikës unë po pres punimet e Komisionit me shumë interes por sigurisht do të doja që Presidenti i Republikës të ishte më i distancuar nga çështjet e zgjedhjeve që u bënë por ky është gjykimi i tij. Problemi është se nuk mund të gjykohet Presidenti i Republikës nga ndonjë shprehje që ka thënë sepse puna e tij matet me dekrete. Edhe nëse ai mund të shprehet më shumë kundër një force politike, siç ishte në këtë rast PS dhe mund të ishte më afër me opozitën kjo nuk ka të bëjë fare me atë që ai ka ikur nga roli i përfaqësuesit të unitetit të popullit pasi ne e dimë që edhe në republika të tjera presidenciale pavarësisht se ne nuk jemi, Presidenti, aq më tepër në një republikë presidenciale, është vërtet një figurë që përfaqëson unitetin dhe një pushtet real merr pjesë në një fushatë elektorale”,-tha Fuga për ”Rtv Ora”.
Po ashtu ai tha se Presidenti nuk mund të qëndrojë indiferent përballë një situate të ndezur politike para dhe pas zgjedhore dhe se në asnjë rast asnjë deklaratë e tij nuk ka cënuar integritetin e Presidentit.
”Është detyrë e tij të bëjë thirrje të respektohet ligji, qytetarët të shkojnë të votojnë, vota të trajtohet në mënyrë ligjore, por në asnjë mënyrë jo nuk mund të qëndrojë indiferent. Por me deklarata të ndryshme edhe unë mund të mendoj që mund të mos ishin bërë. Por nuk janë në asnjë rast deklarata që cënojnë integritetin e Presidentit të Republikës. Deri tani nuk shikoj asnjë argument juridik që mund të çojë në shkarkimin e Presidentit. Mund të bëhet gjithçka por ta shkarkoj Presidentin e Republikës sepse më pëlqen mua apo nuk më pëlqen mua… Jemi në një regjim, shoqëri, që nga pikëpamja kushtetuese është problem, nga pikëpamja e modelit. Kryeministri thotë do të shkarkojmë Presidentin”.