Mazhoranca:Nesër përmbyllim draftin me apo pa opozitën
Ekspertët e nivelit të lartë vijuan punën për reformën në drejtësi gjatë gjithë pasdites së sotme, pavarësisht braktisjes së tryezës nga grupi i ekspertëve të Partisë Demokratike. Mbledhja përfundoi në 20:20 të mbrëmjes.
Në dalje të kryesisë, eksperti Sokol Sadushi tha se sot u ezaurua diskutimi i të gjitha neneve dhe shprehu bindjen se drafti do të përmbyllet nesër me apo pa opozitën.
Megjithatë Sadushi tha se mirëpresin opinionet e opozitës.
Sadushi: Kemi rënë dakord sëbashku me përfaqësuesit e opozitës që të dilnim me një draft dhe në ato pika të veçanta që ne nuk binim dakord do dilnim me opinione alternative. Këtë gjë atë e kanë pranuar dhe ne mbi këtë bazë kemi hyrë në bisedime me ta. Ata sot janë larguar sepse nuk pranojnë që të vijojnë më tej diskutimin me ne. Ne kemi vijuar punën dhe jemi drejt fundit dhe shpresojmë që nesër ta mbyllim.
Cilat nenet u diskutuan?
Sadushi: Të gjitha nenet, pa përjashtim.
Nëse opozita nuk vjen nesër, si do veprohet, do jetë i pranueshëm si një draft konsensual, apo do të shkoni me draftin tuaj?
Sadushi: Ne do të shkojmë me draftin që kanë përgatitur ekspertët e nivelit të lartë, një draft që presim që opozita të sjellë opinionin e vet dhe të jetë si pjesë e rëndësishme e draftit të përbashkët.
Po nëse nuk ndodh?
Sadushi: Kjo është çështje e tyre. Ne kemi gati draftin dhe e mirëpresim çdo lloj opinioni që ata kanë se ne mund të gjejmë pika të përbashkëta me çështjet që ata ngrenë. Dhe ne në fakt më shumë kemi gjëra që na bashkojnë se na ndajnë. Janë shumë pak çështje që ne nuk gjejmë gjuhën e përbashkët, megjithatë mundësia ekziston.
Opozita ka thënë se nuk ka një deadline..
Sadushi:Ne jemi në dijeni që reporterët e Komisionit të Venecias do jenë të pranishëm në datën 21 janar dhe nga kjo pikëpamje ne duhet të dorëzojmë një draft brenda ditës së nesërme ose pasnesër. Me qëllim që Komisioni ad-hoc të gjykojë mbi draftin tonë dhe të vendos politikisht mbi këtë çështje. Dhe ai draft do i dërgohet Komisionit të Venecias dhe është e kuptueshme që një draft të tillë i duhet dhënë mundësi Venecias që ta studiojë me qëllim që kur të vinë këtu të jenë të përgatitur mbi atë që ne kemi bërë.
Kur do ta përmbyllni?
Sadushi: Shpresojmë që nesër ta mbyllim.
KOHA JONË SONDAZH

