Mazniku: Rritje e punonjësve të emergjencave civile, bashkitë kanë përmirësuar buxhetin
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku nga fjala në Kuvend, tha se bashkitë kanë përmirësuar ndjeshëm buxhetin e tyre, në krahasim me vitin 2014. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me performancën e bashkive dhe shpenzimet për pagat, Mazniku shtoi se në këto 10 vite ka rritje të qenësishme të të ardhurave të mbledhura nga vetë bashkitë.
”Nga 13.1 miliardë lekë të ardhura që mblidhnin bashkitë në vitin 2014, ose 36 % të totalit të të ardhurave që ato shpenzonin, sot jemi në një nivel prej 34.9 miliardë lekësh. Pothuajse është trefishuar sasia e të ardhurave që bashkitë mbledhin. Kjo shumë përbën 51 % të totalit të shpenzimeve”, tha ministri Mazniku. Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se është dyfishuar edhe volumi i investimeve për frymë.
Sipas tij, në 2014-ën shpenzimet për paga zinin 70 % të totalit të buxhetit. ”Vetëm kjo e dhënë mjafton të tregojë për peshën që pagat mbajnë brenda totalit të buxhetit të bashkive. Nga ana tjetër ka bashki të cilat kanë nivelin më të ulët të shpenzimeve për paga, si Himara, Tirana dhe Kamza, ndërsa tri bashkitë që kanë shpenzimet më të larta për pagat janë Mirëdita, Fushë Arrëzi dhe Këlcyra”, deklaroi Mazniku.
Për sa i përket akuzave për rritje të numrit të punonjësve të emergjencave civile, Mazniku theksoi se numri është dyfishuar, por se është ende larg numrit të duhur. ”Kemi pasur 705 punonjës në strukturat e emergjencave civile dhe sot kemi 1 315. Nga njëra anë hidhen akuza se nuk iu përgjigjemi dot situatave të emergjencave civile, nga ana tjetër hidhen akuza për fryrje të strukturave. Po, për t’u përballur me emergjencat civile na duhen njerëzit, duhet të kemi numrin e duhur të njerëzve. Nuk jemi ende në standardin e duhur por jemi përmirësuar dyfish në raport me 10 vite më parë. Kemi pasur 110 mjete sot kemi 213 mjete për emergjencat civile”.