Mbajtja e detyrueshme e maskave, Tritan Shehu: Kryeministri i “fshehur” shpërfill edhe rekomandimet e Komitetit Teknik

Nga Tritan Shehu

Kryeministri i “fshehur” shpërfill edhe rekomandimet e Komitetit Teknik!
Komiteti Teknik para dy ditësh, por me dy muaj vonesë, kërkoi “Përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet publike”, një kërkesë kjo e domosdoshme në mbrojtje ndaj Covid, megjithëse jo e mjaftueshme.
Ndërsa Kryeministri, i cili pak kohë përpara kërkonte të “komandonte” çdo gjë dhe në çdo moment në vetë të parë, tashti i “zhdukur” hesht dhe ndaj kësaj kërkese të Komitetit, që duhej të pasohej me një numër vendimesh të qarta të Qeverisë, se është vetëm ajo që e implementon atë.
Në një situatë kaq të vështirë epidemiologjike ku ndodhemi, aq sa një anëtar i atij komuniteti e klasifikoi “Jashtë kontrollit”, kur po rrezikohet rëndë jeta e qytetarëve, ekonomia e vendit, duhej një reagim i menjëhereshme, koha nuk pret!
Qeveria duhej të kishte publikuar tashmë mënyrën e furnizimit ditor me maska për qytetarët si detyrë të saj, rregulloren se çfarë nënkuptohet me “ambiente publike”, gjë që duhet konceptuar e gjerë e për të cilën mund të përdoret modeli i Italisë, menyrat e përdorimit etj.
Në vazhdim Qeveria duhet të kishte publikuar edhe penalitetet për shkelësit e kësaj mase, si dhe të organizonte mënyrën e implementimit e kontrollit.
“Gjumi” aktual i Kryeministrit ndaj Covid as nuk bën të harrohen përgjegjësitë e tij për dështimin e deritanishëm dhe as e justifikon atë për pasivitetin e plotë të Qeverisë në këtë periudhë kur duhen vendime e masa urgjente, energjike, shumëdimensionale e inteligjente për të minimizuar dëmet e dhimbshme të krijuara nga ai keqmenaxhim.

SHKARKO APP