Meta dërgohet në bllokun e sigurisë tek ”Mine Peza” me 3 akuza

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe është drejtuar për në bllokun e sigurisë te Komisariati nr 3 në Tiranë. Në dalje nga ambientet e Policisë së Tiranës, Meta është përshëndetur nga Tedi Blushi dhe disa mbështetës, madje njëri prej të cilëve dëgjohet të thërrasë “Che Guevara”.

Avokati i tij mbrojtës, Genci Gjokutaj sqaroi se vendimi i prokurorit të posaçëm Erion Çela përfshin akuza për tre vepra penale. ”Nuk e kam lexuar akoma vendimin e Erion Çelës. Por është për tre vepra penale. Janë tre akuza. Është korrupsion, pastrim i produkteve dhe diçka pasurore”, tha Gjokutaj për mediat. Në vijim, avokati i Metës e ka konsideruar arrestimin e klientit të tij si një goditje politike dhe për këtë akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama.

”Unë isha në takim me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore. Kjo histori ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka 5 vjet. Domethënë këto rrethana që këta mendojnë sot për të goditur me arrest kanë 5 vjet që janë nëpër duart e prokurorëve. Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani, dhe me ndihmë e mashave, ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës që kanë formuar një vendim të cilin sapo e kemi marrë”, deklaroi Gjokutaj.

SHKARKO APP