“Mbetjet”, Halimi: Unë jam shembulli konkret, helmi vret!
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD-së, Eduard Halimi në nisje të seancës së sotme parlamentare kërkoi të futet në rend dite çështja e referendumit, që shqiptarët të vendosin vetë nëse do pranojnë apo jo importin e mbetjeve. Deputeti solli shembullin e sëmundjes së tij, ndërsa shtoi se shumica e sëmundjeve në gjak vijnë si pasojë e helmeve në ajër.
“Mos mendoni se helmi nuk troket, unë jam shembulli konkret nëse doni të thoni provoje në trupin tënd! T’i ndalojmë sot që të mos jetë vonë nesër…Mendoni për fëmijët tuaj, mos i mohoni të drejtën e jetës. Të zhvillohet referendumi popullor, nëse duhet të importojë apo jo mbetje populli duhet të vendosë. Kjo çështje madhore të vendoset nga sovrani që demokracia të jetë drejtpërdrejtë nga ata që ju sollën këtu”- tha Halimi.
Duke e konsideruar këtë një çështje jetike për të ardhmen e vendit dhe brezave, Halimi shtoi: ‘Ne 4 vjet më parë pranuam që të vendoste populli, pasi erdhët në pushtet ju ndaluat referendumin ia punuat popullit mbas shpine. Sot ne kërkojmë demokraci direkte, referendum”.
KOHA JONË SONDAZH

