Mbledhja e dy Kuvendeve, Alibeaj: Jemi kundër “Open Balkan”. Serbinë do e shohim përmes syve të Kosovës
Për herë të parë, në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë po mbahet mbledhja mes parlamentarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ceremonia nisi me himnin e Kosovës për t’u pasuar me atë kombëtar shqiptar. Ligjvënësit e të dy vendeve e ngritën në këmbë për të nderuar himnet kombëtare përpara se të niste seanca e jashtëzakonshme plenare.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se PD-ja do ta shihte Serbinë nëpërmjet syve të Kosovës. Nga ana tjetër, ai theksoi kundërshtimin e PD-së ndaj “Open Balkan”, projekt i cili sipas tij së fundmi nga Parlamenti Europian u vlerësua si papërputhshëm.
“Partia Demokratike është e percaktuar në qëndrimin se dhe një ndër çështjet më delikate në rajon, siç është ai i i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka të gjithë mbështetjen tonë për t’u zgjidhur ne dialog, por në ç’do rast ne, Partia Demokratike, do ta shohim Serbinë vetëm përmes syve të Kosovës. Ne jemi për paqen midis popullit serb e atij shqiptar, por të palekundur mendojmë se të drejtën e shpalljes së kësaj paqeje e ka Kosova e populli i saj.
Edhe pse në një mosdakordësi të plotë me qeverinë aktuale në Tiranë, PD ka votuar e mbështetur pa asnjë dilemë, çdo nismë që shkon në mbështetje apo me pjesmarrjen e Kosovës. Kemi mbështetur mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe kemi kërkuar që marrëveshjet të implementohen në terren në mënyrë aktive e të mos mbeten në letër.
Kundërshtitë tona energjike ndaj një projekti si ish-minishengen apo Open Ballkan, i cili së fundmi edhe nga parlamenti europian në dokumentin e strategjisë se zgjerimit u vlerësua me rezerva kundërshtuese, si i papërputhshëm me normat evropiane dhe që nuk garanton gjithëpërfshirje”.