Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Presidenti Begaj: Të rriten kapacitetet mbrojtëse

Mbledhja e kësaj të hëne e Këshillit të Sigurimit Kombëtar temë të vetme kishte sulmet kibernetike të muajve të fundit, ku niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore ka vënë në pikëpyetje sigurinë e vendit.

Vetë presidenti Bajram Begaj në një postim në rrjete sociale, thekson se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen.

Gjatë diskutimeve u theksua edhe se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare.

Postimi i plotë

Sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Këto sulme keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar mangësitë dhe trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë kombëtare.

Mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me ne, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë.

Bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen.

SHKARKO APP