Mbledhja e Kryesisë, Berisha: Edi Rama korruptoi një qenie të dobët si McGonigal për të dëmtuar PD
Dosja ”McGonigal” ishte tema kryesore e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku ish-zyrtari i lartë i Byrosë Federale të Hetimit në Shtetet e Bashkuara akuzohet se u angazhua për të dëmtuar opozitën. Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se korruptoi një qenie të dobët si McGonigal, duke dëmtuar në këtë mënyrë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
”Takimet e fshehta të McGonigal me Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratike, pluralizimin, për të shkatërruar opozitën për hir të pushtetit të Ramës, është një krim me përmasa makabër. Është një veprim i barabartë me një grusht shteti kur puçistët vendosin të shuajnë pluralizmin. Është një veprim i cili përveç aktit që bën ndaj vendit mik, përdor për të instaluar monizmin dhe fake opozitën në Shqipëri.
Lidhjet e tij me Ramën janë më të turpshmet në historinë e këtij vendi. T’i lejojë vetes Shqipëria të korruptojë një qënie të dobët dhe të mos njoftojë partnerin strategjik është bashkëpunim në një krim të shëmtuar kundër SHBA, kundër Shqipërisë, NATO dhe çdo vendi të lirë. McGonigal dhe Mark Rosini, ortaku i tij, janë angazhuar në veprimtari antishqiptare për llogari të Ramës. Qëllimi i tyre ishte asgjësimi i opozitës.
McGonigal u përdor gjithashtu dhe për afera të tjera korruptive, për licenca. Ai u shpërblye me 225 mijë euro, 500 mijë nga një bankë e Qipros, por edhe para të tjera. Ai u angazhua nga Edi Rama për të ndihmuar miqtë e tij të ngushtë Vangjush Dakon, Dom Doshin etj të shpallur non grata nga DASH”, tha Berisha.