Mblidhet KQZ-ja, pritet të vendosë për fatin e dy kryebashkiakëve të PS-së

Pas kërkesës nga Partia Demokratike, këtë të martë është mbledhur Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ku do të vendoset për Agron Malajn dhe Kastriot Gurrën. KQZ-ja do të kalojë në sitë shqyrtimin e rezultateve të hetimeve për kryetarët e Bashkive Mat dhe Librazhd.

Sipas verifikimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Agron Malaj, kryebashkiak i Matit rezulton i dënuar në 1999 për armëmbajtje pa leje. Ai nuk e ka fshehur dënimin në formular, por sipas PD-së dënimi sipas ligjit për dekriminalizimin i ndalon postin e kryetarit të bashkisë. Megjithatë vendimin pritet që ta marrë KQZ-ja.

Sa i përket kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Përgjithshme doli në përfundimin se nuk rezulton të jetë shpallur në kërkim e aq më tepër që të jetë dënuar për falsifikim të vulave, siç Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën pretendonte.

Para disa ditësh, selia blu u dërgoi një letër ambasadorëve të SHBA-BE-së në Tiranë, ku i vuri në dijeni për hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme, sektori i dekriminalizimit për Arben Malajn. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi thotë në letër se ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike për një dënim të tillë, edhe kur e ka deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.

Debati në KQZ

N/ kryetari i KQZ-së, Denar Biba: Jemi mbledhur për të vendosur lidhur me shqyrtimin e hetimit të prokurorisë për Malajn. Objekti duhet të ndryshojë. Malaj ka qenë i punësuar në administrate publike dhe prandaj është kërkuar betim. Në atë kohë prokuroria e ka kryer këtë hetim. Në bazë të vendimit që ka marrë prokuroria ne kemi marrë një vendim në 2019 që është ende në fuqi.

Përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji: Periudha e ndalimit është deri në momentin e rehabilitimit. Në 2019 dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe KQZ vendosi njoftimin për vijimin e procedurave se nuk ndodhet në kushtet e ndalimit. Prokuroria e përgjithshme pas kërkesës së PD-së, theksoi se nuk ka asnjë masë tjetër veç atyre të deklaruara. Në lidhje me pretendimin e PD-së se kryetari i bashkisë Mat është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit. KQZ duke qenë se nuk ndodhet para asnjë prove të re, ndodhet para një gjeje të gjykuar. Pra ky është subjekt që gjykohet për të dytën herë. Këtë person e kemi hetuar dhe gjykuar dy herë, kur ka qenë nëpunës i thjeshtë në 2016 kur ka qenë punonjës i OSHEE-së dhe prokuroria ka thënë nuk është në kushtet e ndalimit të funksionit. Edhe tani, që është kryetar bashkie, gjykohet nga e njëjta prokurori dhe rezultatet janë të njëjta. Zoti Malaj nuk duhet të diskutohet më. Të shterohen të gjitha akuzat e pabaza, pra mos lihet e hapur, mbylleni këtë si procedurë.

Denar Biba: Kërkesa të tilla mund të vijnë në mënyrë të vazhdueshme prokurorisë dhe duke qenë se mes dy kërkesave mund të kenë ndodhur veprimtari të ndryshme por nuk mund të merren 15 vendime për një subjekt, pa parë vlefshmërinë e vendimit të parë, që këtij zotërisë i lejoi kandidimin dhe ai u zgjodh.

SHKARKO APP