Mblidhet Kuvendi, do votohen ndryshimet në qeveri. PD: Rama shihet para të vërtetave, prandaj refuzoi debatin

Deputetët janë në sallën e Kuvendit, në një seancë të jashtëzakonshme do të votohen ndryshimet në kabinetin qeveritar. Ishte dje Presidenti i ri Bajram Begaj që firmosi menjëherë këto ndryshime që kryeministri Rama i shpalli në Twitter. Do të votohet shkarkimi i Arben Ahmetaj nga posti i zv/kryeministrit dhe emërimi në këtë detyrë i Belinda Ballukut.

Në seancë do të miratohet edhe emërimi i ministres së Shtetit, Majlinda Dhuka, e cila do të jetë kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Partia Demokratike, përmes kreut të Grupit Parlamentar i kërkoi Kryetares së Kuvendit që në seancë të kishte debat parlament për ndryshimet në qeveri, pasi ato janë të rëndësishme. Kërkesa e opozitës nuk është marrë parasysh nga qeveria.

Deputeti demokrat Lefter Gështenja ka deklaruar se qeveria ka rrëzuar kërkesën e deputetëve demokratë për debat në seancën e të enjtes pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në qeveri. Gështenja shprehet se Rama kërkon të ndryshojë ministrat në heshtje të plotë pasi nuk mund të lejojë të dalë zbuluar para disa të vërtetave.

SHKARKO APP