Mblidhet sot KKT-ja për Stadiumin “Arena Kombëtare”, Rama: Kryelartë për gjithçka bëmë!
Këshilli Kombëtar i Territorit pritet të mblidhet sot për të prezantuar dhe diskutuar projektin aq shumë të përfolur ditët e fundit për kompleksin e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”.
Mbledhja do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama. Debati ka shpërthyer për një kullë 19 katesh që pritet të ndërtohet ngjitur me Stadiumin. Stadiumi aktual pritet të prishet për t’u ndërtuar Arena Kombëtare. Kjo temë u diskutua mbrëmë në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi, ku të ftuar ishin analistë politikë si dhe arkitektë.
Analisti Fatos Lubonja tha midis të tjerash, se kryeministri Edi Rama ka mendësi diktatoriale duke prishur për të ndërtuar nga e para. “Shteti është totalisht i kapur nga interesat e privatit”, tha Lubonja.
Analisti Andi Bushati tha se Filozofia e Ramës është grabitja. “E turpshme që arkitekti i Ramës, vjen të shkatërroj qytetin tim”, tha ai.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, deklaroi se stadiumi “Qemal Stafa” është monument kulture, por shtoi se mund t’i hiqet ky status. Arkitekti Artan Raça tha se arkitekti italian, ka deklaruar se do të protestonte. “Arkitekti Italian thotë se do te vij të protestoj dhe të lidhet me zinxhir që të mos ndërtohet Arena Kombëtare”, bëri të ditur ai.
Ndërkaq, sot është Dita e Trashëgimisë Kulturore dhe Sportit. Për kryeministrin Edi Rama, kjo ditë e gjen kryelartë qeverinë e tij për gjithçka ka bërë në këtë drejtim. Në një reagim në Facebook, Rama përmend edhe ndërtimin e Parkut Olimpik në Tiranë.
Rama: Sot është Dita e Trashëgimisë Kulturore dhe Sportit, e cila na gjen kryelartë për gjithçka kemi bërë e po bëjmë, për të mbrojtur trashëgiminë dhe mbështetur sportin, duke investuar në këto dy drejtime ne 30 muaj, më shumë energji e fonde se sa në njëzet e kusur vite të marra së bashku!
Bashkëngjitur një nga kantieret e mbrojtjes se trashëgimisë në Korçë dhe kantieri i pallatit të ri të lojërave me dorë në Parkun Olimpik në Tiranë.