Mbreti Charles drejton homazhet për Mbretëreshën Elisabeth II. Njerëz nga e gjithë bota vajtojnë monarken
Flamujt janë valëvitur në gjysmështizë që prej ditës së djeshme në Britani, në të gjitha ndërtesat qeveritare dhe shërbimet publike, si dhe në pallate, pas shpalljes së vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth.
Qytetarët britanikë jashtë Pallatit Buckingham qanë kur zyrtarët vendosën një njoftim që konfirmonte vdekjen e mbretëreshës në portat prej hekuri të shtëpisë së mbretëreshës në Londër dhe vendosën dhjetëra buqeta shumëngjyrëshe te portat.
Tashmë kanë filluar përgatitjet për funeralin e Mbretëreshë Elizabeth dhe sipas protokollit Mbretëria e Bashkuar hyn në një periudhë zie 10-ditore. Për shkak se Mbretëresha Elizabeth vdiq në Skoci, operacioni Unicorn pritet të zbatohet për të transportuar trupin në Londër.
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar, ndërroi jetë dje në moshën 96-vjeçare. Ajo vdiq në mënyrë paqësore në Kalanë Balmoral të enjten pasdite, tha Buckingham Palace.
I biri i saj, 73 vjeçari Charles, u bë automatikisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i shtetit për 14 territore të tjera, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Ai do të njihet si Mbreti Charles III. Bashkëshortja e tij, Camilla, do të njihet si Mbretëresha bashkëshorte. Në një deklaratë, Charles e quajti vdekjen e nënës së tij “një moment trishtimi të jashtëzakonshëm për mua dhe të gjithë anëtarët e familjes sime”.
Pritet që Charles të shpallet zyrtarisht Mbret të shtunën.