Mbyllet komisioni për drejtësinë, nuk ka dakordësi për institucionet e reja
Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Reformën në Drejtësi ku nuk është arritur të merret vendim në lidhje me ngritjen e institucioneve të reja, si ajo për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pas takimit, deputeti demokrat, Eduard Halimi tha se palët kanë gjetur dakordësinë në disa prej 10 pikave të diskutuara kryesisht në pjesën e luftës kundër korrupsionit, duke përmendur këtu ngritjen e Byrosë së Hetimit dhe të Prokurorisë Speciale për luftën ndaj korrupsionit.
Halimi: Përfundoi faza e parë e diskutimeve mbi 10 çështjet e dialogut politik dhe në këto 10 çështje përfshihen edhe dy komponentët kryesor të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Është një komponent i luftës antikorrupsion në sistemin e drejtësisë për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Komponenti tjetër ka të bëjë me arkitekturën e sistemit për krijimin e institucioneve të përhershme. Në këtë komponent ka disa mosdakordësi.
Lidhur me komponentin e parë, të tre elementët, si ngritja e Byrosë së Hetimit pranë Prokurorisë, ngritjen e Prokurorisë Speciale për korrupsionin në nivelet e larta, dhe për komponentit tjetër siç është kontrolli i gjyqtarëve, ka një dakordësi thuajse të plotë midis palëve.
Deputeti demokrat Halimi tha se do të jenë ekspertët ndërkombëtar dhe ata të partive politike që do të diskutojnë për të gjetur zgjidhje konkrete.
Halimi: Ka mos dakordësi ndërmjet palëve dhe diskutimet do tëv vazhdojnë, që ka të bëjë me pjesën e institucioneve të reja. Kanë të bëjnë me pjesën e emërimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve. Për ne i mungojnë elementët e balancës. Ka probleme me kapjen politike dhe që Venecia ka dhënë rekomandime, si dhe ka probleme me korporatizmin.
KOHA JONË SONDAZH

