Mbyllet procesi i votimit në Malin e Zi, pjesëmarrja arrin në 80%
Mbyllet procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi. Sipas mediave vendase afro 80% është shifra e pjesëmarrësve. Pjesëmarrja në total e shqiptarëve në Malin e Zi është rreth 65%, kjo pasi një rritje të konsiderueshme e votuesve shqiptarë është shënuar gjatë orëve të fundit.
Në zgjedhje garuan për të formuar qeverinë e re Partia Social Demokrate dhe ajo pro-serbe Fronti Demokratik. Po ashtu edhe partitë shqiptare garuan në dy koalicione dhe kanë synimin që të marrin dy mandate. Ka pasur një rritje të konsiderueshme të votuesve në krahasim me vitin 2016.
Ky proces zgjedhor është shoqëruar me debate të forta mbi identitetin kombëtar dhe vlerat e besimit, duke bërë që shumë qytetarë të nxiten të votojnë. Këto votime pritet të përcaktojnë nëse partia e Milo Gjukanoviç, që është në pushtet prej 30 vitesh, do të duhet të dalë në opozitë apo të vazhdojë të jetë në drejtimin e vendit.
Mbi 540 mijë persona kanë të drejtë për të votuar dhe prej tyre do të zgjidhen 81 përfaqësuesit e Parlamentit. Këto janë zgjedhjet e shtata pas pavarësisë në vitin 2006. Politika në Malin e Zi është e polarizuar në parti që e pozicionojnë veten në pro perëndimore, pro serbe dhe ruse. Ndikim pritet të ketë mbështetja që kisha ortodokse serbe u ka dhënë forcave opozitare pro-serbe.