Mbyllet protesta e opozitës, hapet qarkullimi. Më shumë përplasje këtë herë me Policinë

Mosbindja civile e PD dhe e opozitës u mbyll pas 3 orësh, ku këtë herë pati më shumë përplasje mes qytetarëve dhe uniformave blu, më shumë ujë dhe gazlotsjellës kundër protestuesve. Me qindra automjete mbetën të bllokuara për rreth 3 orë në zonën e Zogut të Zi, Pallatit me Shigjeta, sheshi Wilson, rruga e Elbasanit dhe në qendër pranë bashkisë për shkak të bllokimi të këtyre akseve nga ana e protestuesve të opozitës.

Në orarin zyrtar për të cilin opozita kishte kërkuar leje ditën e sotme, ora 20:00 ka nisur gradualisht zhbllokimi i qarkullimit në disa nga akset e bllokuara, fillimisht në zonën e Zogut të Zi, te Pallati me Shigjeta e sheshi Wilson. Belind Këlliçi para bashkisë Tiranë njoftoi mbylljen zyrtarisht të protestës dhe ftoi protestuesit të marshonin drejt selisë së PD-së. Ai falënderoi qytetarët dhe protestuesit që pavarësisht dhunës nuk u tërhoqën dhe paralajmëroi vijimin e betejës në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

“Tentuan sot t’u dhunonin, ju goditën, lagën, ju fyen por nuk u tërhoqët. Mirënjohje për juve qytetarët që në 5 pikat kryesore dhatë mesazh të qartë, të vendosur përballë regjimit të Ramës. Nëse keni menduar se me pinjollët e diktaturës do ndalni opozitën dhe PD-në e kemi gabim. Ne do vijojmë betejën tonë protesta në Tiranë dhe çdo cep të Shqipërisë . Bashkia e Tiranës vijon të mbahet peng nga kreu i 5 d i grupi të strukturuar kriminal. Së shpejti në protestë para selisë së 5D, jo vetëm këtu por në të gjithë qytetet. Ftoj protestuesit të marshojmë para selisë së PD”.

Më herët deputetja Dhurata Çupi deklaroi se janë disa qytetarë të shoqëruar dhe disa të lënduar. ”Kemi disa qytetarë të degës 9 të shoqëruar dhe disa që po mjekohen se janë dëmtuar në mbylljen e protestës do jemi në komisariate kanë shoqëruar shumë gra nga dega 5”. Protesta nisi në orën 17:00 me përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe policisë. Kjo e fundit kishte njoftuar PD-në se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale, çka është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës. Gjatë kësaj proteste ishin të angazhuara rreth 1 mijë forca policie në 5 pikat kryesore të Tiranës.

SHKARKO APP