Mbyllja e klubeve të natës. Përplasje dhe dhunë para Kryeministrisë (FOTO)
Vendimi i qeverisë për të mbyllur ”jetën e natës”, nuk është pritur mirë nga pronarët e klubeve të natës dhe nga vetë këngëtarët. Shoqata e bareve, pronarët e klubeve të natës dhe artistët kanë dalë sot sërish në protestë. Që në nisje të protestës, Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën dhe ka shoqëruar disa persona. Siç shihet edhe nga fotot, Policia është në numër të shtuar në këtë protestë dhe nuk lejojnë që qytetarët të protestojnë.
Në terren janë Forcat e Rendit dhe Shqiponjat, që nuk kanë kursyer as dhunën kundër personave që kanë shoqëruar për në Komisariat. Në protestë kanë dalë artistë, qytetarë dhe pronarët e klubeve, bareve e lokalve të cilët preken nga Aktit Normativ, pasi nuk mund të ushtrojnë aktivitetin pas orës 20:00.
Njëra prej protestuesve, e prekur nga ky vendim thotë se ”Po bëhet një diskutim për organizimin e një proteste, dhe po e shpërfytyrojnë, dhe na thonë nuk bëhet të rrish as në park si qytetar i thjeshtë. Ne po respektojmë distancimin sociale. Ne duam të drejtat tona sociale, që lejon biznesin tonë. Unë flas nga ana personale se punoj edhe natën, për të mbajtur familjen. Ky vendim duhej të merrej me eskpertë dhe jo me një VKM, sepse ka shumë njerëz që humbasin ekonomikisht. Ne s’po dalim kundër mbrojtjes së jetës por pse s’ka një paketë ekonomike. Nuk ka alternativa nga ata, por vetëm na bllokojnë punën. Të paktën eskpertët të vendosin për një paketë ekonomike. Ka dalë një VKM që nuk është diksutuar me asnjë nga ata që preket. As me ekspertët”.
Kompozitori i njohur, Robert Radoja, është pjesë e protestës dhe kundërshton vendimin e qeverisë për ndalimin e muzikës pas orës 20:00. Radoja ka ironizuar vendimin dhe u ka bërë thirrje të gjithëve që të heqin maskat se virusi transmetohet vetëm pas orës 20:00. Më tej kërkoi solidaritet mes artistëve dhe ka thënë se të gjithë duhet të ishin në protestë. ”Mos kini frikë nga unë, hiqni maskën se nuk e transmetojmë. Pas orës 8 të darkës transmetohet. Gjithë ditën kafet janë plot nuk transmetohet. Pas orës 20:00 transmetohet përmes muzikës. Një njeri në një qoshe i bie pianos. Këto janë pa kuptim. Nuk e kuptoj dot. Megjithatë. Artistët janë individualistë. Ishim 20 veta ne këtu dhe 1500 policë. Policët duhet të marrin një buqetë me lule”.
Policia e Tiranës njoftoi procedimin e 12 personave pas protestës së djeshme të artistëve para Kryeministrisë. Këta persona akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Pasditen e djeshme, artistë, punonjës e pronarë të klubeve të natës protestuan para Kryeministrisë pasi qeveria ndaloi hapjen e klubeve të natës, diskove, “lounge bar”-eve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.
”Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij. Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente”, lexohet në njoftimin e policisë.