Me maska e kontroll te dera, studentët rikthehen në auditorë pas 1 viti mësim online (FOTO)
Ka nisur sot viti i ri akademik 2021-2022 për të gjithë studentët në vendin tonë, pas më shumë se një viti mësimi online.
Studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditorë duke paraqitur certifikatën e vaksinës, një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë ose duke paraqitur një test negativ.
Policët janë vendosur edhe në hyrje të çdo fakulteti tjetër, për të kontrolluar studentët për vaksinën ose testin anti-Covid, ndërkohë që, siç shihet nga fotot e mëposhtme, këta të fundit janë të gjithë me maska, si dhe u matet temperatura para se t’u drejtohen auditorëve.
Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha rreth gjysma e studentëve të këtij universiteti është vaksinuar.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.
Mësohet se pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik.

KOHA JONË SONDAZH

