Më në fund, njeriu pa mandat që bllokoi gjykatën kushtetuese u shkarkua nga KLGJ
Një njeriu pa mandat të ligjshëm, me probleme me vettingun dhe me anësi të deklaruar për pjesëmarrje në takimet politike të PS-së iu la në dorë hallka më e rëndësishme e reformës në drejtësi, përzgjedhja e gjyqtarëve kryesorë të vendit. Skema e pistë e kapjes së institucioneve nga Rilindja me ndihmën e Dvoranit u denoncua dhe nga Komisioni i Venecias, që i dha të drejtë Presidentit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ndaj tij janë disa padi në SPAK për shkelje të rënda ligjore dhe Kushtetuese, të provuara edhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi dje me 6 vota pro dhe 3 kundër, që Dvorani të largohet nga detyra si anëtar i Gjykatës së Lartë, kryetar i saj dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Të trija këto detyra të larta në sistemin e drejtësisë janë mbajtur në shkelje ligjore, pasi mandati i tij i ligjshëm ka përfunduar para 6 vitesh. Vendimi i marrë në KLGJ është një fitore e drejtësisë përballë abuzimeve personale të një individi dhe grupit të Rilindjes. KLGJ vendosi se Dvorani mund të punojë në Gjykatën e Apelit, por nëse sheh historikun e vendimeve që ka marrë dhe mbajtjen e paligjshme të postit, Dvoranit dje duhet ti ishte komunikuar largimi nga sistemi i drejtësisë.
Çështja “Dvorani” është një rast i paprecedentë në historinë e gjykatave në Shqipëri dhe mbase dhe në historinë e jurisprudencës ndërkombëtare. U zgjodh në vitin 2005 anëtar i Gjykatës së Lartë me votat e PS. Mandati i tij i rregullt si anëtar i Gjykatës së Lartë mbaroi në vitin 2014. 6 vite më parë, juristi Dvorani që betohet mbi Kushtetutën dhe thotë se zbaton ligjet, duket të kishte marrë valixhet dhe të kishte ikur në shtëpi ose në një detyrë tjetër që do t’i caktonin. Në vend të këtij akti që duhet të bënte çdo zyrtar korrekt, Dvorani shfrytëzoi boshllëqet ligjore dhe vettingun në Gjykatën e Lartë për të mbijetuar pa mandat në detyrë. Gjatë këtyre viteve, Dvorani nuk qëndroi thjesht për të marrë pagën dhe benefitet e detyrës së lartë. Juristi Dvoranit qëndroi në sistem për të kapur reformën në drejtësi si dhe për të minuar besimin e qytetarëve të institucionet e reja që po lindin me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Vet juristi Dvorani është një nga ekspertët e nivelit të lartë që hartoi reformën në drejtësi. Ai bën pjesë të ata pak njerëz që gatuan ligjet e reja të drejtësisë dhe abuzimet e tij në detyrë janë goditja më e madhe që ju dha reformës nga brenda. Duke njohur defektet e ligjeve të reja dhe kaosin që do të krijonte vettingu, veç mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Dvorani kapi dhe kreun e Gjykatës së Lartë. Gjithmonë pa asnjë mandat të ligjshëm, ai u kthye në juristin e vetëm që merrte vendime dhe parashikonte sesi do të ecte vettingu për kolegët e tij. Ndërsa miqtë e tij u rrëzuan nga vettingu për disa qindarka, Dvorani doli i pastër nga kontrolli edhe pse rreth 100 milionë nuk dinte si ti justifikonte. Në këtë mënyrë, anëtari pa mandat i Gjykatës së Lartë kapi drejtimin e saj si dhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED). Ky institucion është më i rëndësishmi në këtë fazë të reformës në drejtësi. Prej vendimeve të KED caktohet se cili gjyqtarë do shkojë për dekretim te Presidenti dhe votim në Kuvend, për në Gjykatën e Lartë, dhe kush do te emërohet në Gjykatën e Kushtetuese. Një njeriu pa mandat të ligjshëm, me probleme me vettingun dhe me anësi të deklaruar për pjesëmarrje në takimet politike të PS-së ju la në dorë hallka më e rëndësishme e reformës në drejtësi, përzgjedhja e gjyqtarëve kryesorë të vendit. Figurë më problematike për zbatimin e reformës nuk do të gjendej as me dhjetëra juristëve që me të drejtë i këputi vettingu.
Këtë detyrë sigurisht Dvorani nuk e mori përsipër vetëm. Strukturat e PS që përgatitën kapjen e reformën në drejtësi e ndihmuan me mbështetje politike. Qeveria dhe Rilindja i dhanë mbështetjen ndërkombëtare përmes rekomandimeve banale dhe jo ligjore të misioneve të huaja që monitorojnë reformën në drejtësi. Me këtë mbështetje dhe me bindjen si një anëtar i PS-së, Dvorani masakroi reformën në drejtësi. Përzgjedhja e emrave për Gjykatën Kushtetuese ishte momenti kur skema e kapjes së sistemit u bë publike. Dvorani veproi jo si profesionist i ligjeve, por si një ushtar i partisë që do të caktojë në institucionin më të lartë të drejtësisë, njerëzit e tij apo të pushtetit të sotëm të Ramës. Përplasja me Presidencën për emërimin e Arta Vorpsit, që u betua te noterja dhe jo para Kushtetutës, ishte rasti më flagrant i keqpërdorimit të Dvoranit dhe kapjes së drejtësisë. Nga ky rast u kuptua se Dvorani nuk vepronte për të zbatuar reformën dhe as për të ruajtur parimet Kushtetuese, por ishte njeriu i pazareve që Rilindja kishte futur në sistemin e drejtësisë. Skema e pistë e kapjes së institucioneve me ndihmën e Dvoranit u denoncua dhe nga Komisioni i Venecias, që i dha të drejtë presidentit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ndaj tij janë disa padi në SPAK për shkelje të rënda ligjore dhe Kushtetuese, të provuara edhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias. Përballja e tij me drejtësinë mbase do të nxjerrë dhe autorët e vërtetë që e vinin në lëvizje për të sabotuar reformën dhe për të masakruar Kushtetutën. Kjo është një histori e pistë politike që duhet zbardhur dhe çështja nuk mbaron me ikjen e tij nga detyra.
Ajo që mund të themi pas vendimit të KLGJ është se institucionet e reja të drejtësisë morën një vendim të drejtë për t’i kthyer sado pak dinjitetin reformës së masakruar në drejtësi. Ndërkohë reagimi i juristit Dvorani që nuk njihte vendimin e KLGJ dhe tallej me juristët e këtij institucioni ishte një gafë juridike dhe turp për një gjyqtar të lartë. Njeriu që bën pjesë të hartuesit e reformës në drejtësi nuk njeh vendimet që dalin prej këtyre institucioneve. Ky është një zhvillim që tregon se ekspertët e reformës si Dvorani e kanë parë këtë proces si pronë private.
Por me këtë vendim të KLGJ, mund të thuhet se Reforma në Drejtësi po fillon të marrë frymë disi më lirshëm, ndonëse shigjetat e helmit i ka ngulur Ardian Dvorani dhe grupi i tij. Beteja për një drejtësi të pavarur e kushtetuese sapo mori një kthesë vogël në shërbim të qytetarëve. E megjithatë ka shumë punë për të kthyer besimin te Drejtësia e vërtetë.
KOHA JONË SONDAZH

