Me pankarta në duar! 30 deputetë të PD protestojnë përpara Parlamentit Europian

Ndërkohë që një pjesë e kolegëve vijojnë takimet zyrtare në Parlamentin Europian, një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë nisur fushatën sensibilizuese me eurodeputetë në hyrjen e Parlamentit Europian.

Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë njohur kolegët e tyre europianë me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës Sali Berisha, duke kërkuar monitorimin nga afër të situatës dhe lirimin e tij të menjëhershëm.

Me arrestimin e Sali Berishës, liderit të opozitës, deputetët demokratë shpjegojnë se synohet të cenohet barazia e palëve në zgjedhje. “Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur të gjithë drejtuesit e opozitës, që Edi Rama të konkurojë me vetveten dhe të mbajë pushtet me dhunë” – shprehen deputetët demokrat.

Duke e konsideruar një hakmarrje politike luftën që Edi Rama i ka shpallur Partisë Demokratike, përmes burgosjeve politike, deputetët demokratë në një akt të pa ndodhur më parë, kanë zgjedhur këtë formë origjinale dhe të veçantë, për të tërhequr vëmendjen e eurodeputetëve, për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.

Shqipëria është vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian, por demokratët akuzojnë Kryeministrin Edi Rama se ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.

Për deputetët e PD, duke u bazuar edhe në të dhënat e bëra publike nga hetimet penale të përgjimeve SKY/ECC në rastin e ish deputetit socialist Jurgys Çyrbja, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS.

SHKARKO APP